Gazetar: Zekirija Haxhiu

Një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, për kryetar komunash votojnë të sëmurit dhe personat që gjenden në vuajtje të dënimit me burg apo në paraburgim. Sipas të dhënave nga KSHZ, sot të drejtën e votës e realizojnë 4826 persona të sëmurë, 1256 persona të burgosur në 14 burgje të ndryshme të shtetit si dhe 214 persona të vendosur në 13 qendra për kujdes jashtë familjar.

90% e të burgosurve që kanë të drejtë vote gjenden në burgun e Idrizovës, gjithsej 1150. Atje votimi bëhet në mënyrë të organizuar, varësisht nga cili repart vijnë të burgosurit. Ata sillen me furgonë special dhe përsëri kthehen në repartin ku vuajnë dënimin.

“Momentalisht në burgun e Idrizovës ka 1284 të burgosur ku prej tyre të drejtë votimi kanë 1150. Pjesa tjetër janë të burgosur të cilët nuk kanë të drejtë votimi për shkak se janë shtetas të huaj. Po, janë marrë të gjitha masat e sigurisë dhe se janë angazhuar numër shtesë të policëve që gjithçka të jetë e qetë dhe në mënyrë të rregullt të vijojë procesi zgjedhor”, tha Naim Lamallari – Zv.drejtor i burgut “Idrizovë”.

Në Idrizovë votohet për 30 komuna në nivel shteti. Pas përfundimit të procesit, fletëvotimet të vendosura në zarfe dërgohen nëpër komuna.

“Lista zgjedhore ka 620 votues, votohet për tridhjetë komuna në nivel shteti…. Deri tani gjithçka është sipas rendit nuk ka asnjë problem, shpresoj kështu do të shkojë deri në fund të votimeve. Materialet ne i vendosim nëpër zarfe, i paketojmë dhe i dërgojmë nëpër komuna dhe pastaj ato vazhdojnë me distribuim”, tha Jadranka Mitievska – Kryetare e K.K 2536.

Nga të burgosurit që vinin për të votuar, me disa ndodhte që të mos e gjejnë veten në listën e votimit dhe ktheheshin prapë. Ata që votuan, kërkojnë kushte më të mira infrastrukturore në komunën prej nga vijnë.

Anketë me disa të burgosur

“Po unë doja të votoja por nuk figuroj në listë. Unë erdha të votoj por nuk jam në listë, nuk e di pse !? Nga cila komunë je? Nga komuna e Çairit”.

“Po këshilli dhe kryetari të jenë nga e njëjta parti që të përfundojnë këto mundime në Qytetin e Shkupit. Nga cila komunë vini? Gazibabë. Për çfarë ka nevojë Gazibaba? Fillimisht rregullimi i infrastrukturës, ujësjellës, kanalizimi, shumë ndërtesa janë ndërtuar të cilat rëndojnë tej mase infrastrukturën atje”.

Të drejtë vote në rrethin e dytë të zgjedhjeve kanë 1,013,375 qytetarë. Votohet në gjithsej 32 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Në komunën e Shuto Orizares do të ketë përsëri votim për këshilltarë por vetëm në tre vendvotime, pasi Gjykata Administrative shfuqizoi rezultatet e rrethit të parë pas parregullsive të konstatuara. Në rrethin e parë u zgjodhën 44 kryetarë komunash ndërsa në Gostivar, Vrapçisht, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë do të përsëriten zgjedhjet pasi nuk u arrit censusi i nevojshëm./Alsat.mk

The post Një ditë para rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, votojnë të sëmurit dhe të burgosurit appeared first on Alsat.