Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dënoi mbrëmë njohjen e shtetit palestinez nga disa udhëheqës perëndimorë, duke e cilësuar këtë si një “dorëzim të turpshëm ndaj terrorizmit”.

“Njohja e shtetit palestinez nga disa udhëheqës nuk do ta detyrojë Izraelin në asnjë mënyrë. Një shtet palestinez nuk do të krijohet”, thuhet në deklaratën e kabinetit të kryeministrit në platformën X.

Netanjahu pritet të takohet me shumë udhëheqës botërorë në Nju Jork, përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

Sipas “The Times of Israel”, qindra demonstrues u mblodhën në aeroportin “Ben Gurion” për të protestuar kundër Netanjahut para fluturimit të tij për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ata kërkuan lirimin e pengjeve dhe valëvitenin flamuj izraelitë dhe banderola të verdha.