Gazetare: Melihate Rustemi

Afatet e shtyra të provimeve dhe afati plotësues për regjistrim në vitin e parë akademik ka bërë që një numër i studentëve të Universitetit “Nënë Tereza” të mbeten pa shujtën studentore, thanë drejtuesit e UNT-së. Paraprakisht, sipas një reagimi me shkrim të studentëve, për shkak të një gabimi të Universitetit “Nënë Tereza” shumë prej studentëve janë paraqitur në sistem si studentë të çrregullt, edhe pse në realitet janë studentë të rregullt.

“Si pasojë e këtij gabimi absurd, na është ndërprerë subvencioni ditor për ushqim, një ndihmë thelbësore për shumë studentë që përballen çdo ditë me sfida ekonomike. Ky veprim është i padrejtë, i papërgjegjshëm dhe përbën një turp institucional. Ne kërkojmë që ky gabim të pranohet dhe të korrigjohet menjëherë, në mënyrë që të rikthehet e drejta jonë legjitime për subvencionimin studentor. Studentët nuk duhet të ndëshkohen për lëshimet e administratës”, tha një grup studentësh të Universitetit “Nënë Tereza”.

Nga Universiteti “Nënë Tereza” pranojnë se janë bërë lëshim dhe kërkojnë ndjesë nga studentët duke shtuar se asgjë nuk ka qenë e qëllimshme.

“E gjithë kjo është bërë për shkak të vonesës së regjistrimit të cilën ne ua kemi mundësuar atyre me një vonesë relative për shkak të afatit të provimeve të shtyra edhe të regjistrimit të afatit plotësues ose të tretë të regjistrimit në vitin e parë. Pikërisht kjo I ka shkaktuar këto telashe, duke u përpjekur që të bëjmë mirë për studentin ne kemi arritur në këtë situatë që mos ti bëjmë ballë që shpejt të reagojmë, por unë jam i sigurt se kjo çështje do të mbyllet sot. Shqetësimet e tyre kanë bazë, janë të arsyeshme, ne I kuptojmë dhe besoj që do të na mirëkuptojnë”, u shpreh Fati Iseni, Universiteti “Nënë Tereza”.

Nga Ministria e Arsimit sqaruan për Alsat se Ligji dhe thirrja publike për realizimin e të drejtës për ushqim të subvencionuar për studentët përcaktojnë përmbushjen e disa kushteve, ndër të cilat aplikuesi duhet të ketë statusin e studentit me kohë të plotë. Këto janë të dhëna që Ministria e Arsimit dhe Shkencës i merr nga fakultetet dhe vetëm i verifikon ato. Nëse një fakultet nuk paraqet të dhëna në kohë për të gjithë studentët e tij me kohë të plotë përmes sistemit ku aplikohet kjo e drejtë, ai nuk mund të marrë fonde mbi këtë bazë. Nga Ministria e Arsimit apelojnë që punët administrative të universiteteve të kryhen me shpejtësi më të madhe, në mënyrë që të mos krijohen situata në të cilat studentët nuk mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre pa fajin e tyre. Nga dikasteri I Arsimit kujtojnë se studentët kanë mundësinë të aplikojnë për shujtën studentore çdo muaj nga data e parë deri në të pestën e muajit të caktuar, nëse për ndonjë arsye nuk kanë aplikuar ose nuk e kanë ushtruar më parë të drejtën e tyre. /Alsat.mk

The post Një grup studentësh të UNT-së kanë mbetur pa të drejtën për shujtë appeared first on Alsat.