Ishulli i njohur si i maceve tani i ka dalë problem me macet. Zyrtarët në Qipro vlerësojnë se ka afërsisht një mace për secilin prej 1 milion banorëve të saj.
Komitetit parlamentari për mjedisin i ishte thënë se programi ekzistues për sterilizim ishte shumë i kufizuar për ta mbajtur nën kontroll shtimin e maceve.
E, ministrja e Mjedisit, Maria Panayiotou, ka lajmëruar në fillim të tetorit se qeveria do t’i rrisë fondet për sterilizim dhe ky është konsideruar një hap përpara, shkroi AP.
Qipro ka një histori të gjatë si komb që i do macet, të cilat janë pamje e rregullt nëpër rrugë përditë. E macet janë edhe një atraksion kyç për turistët në ishull.
Megjithatë numri i tyre i barabartë me atë të popullsisë po ngreh shqetësime. Presidenti i Asociacionit të Veterinarisë, Demetris Epaminondas, ka thënë se shtimi i maceve mund të vihet nën kontroll në 4 vjet. Ai ka shpjeguar se kjo mund të bëhet nëse autoritetet bëjnë një plan sterilizimi që do t’i vinte klinikat private në detyrë për ofrimin e sterilizimit falas pa pasur nevojë për procedura që e komplikojnë procesin aktualisht.