Zakonisht mendojmë se për të mbajtur peshën duhet vetëm të numërojmë kaloritë që marrim dhe ato që djegim. Kjo duket logjike dhe e thjeshtë. Por në të vërtetë, jo të gjitha kaloritë janë njësoj. Trupi ynë i përpunon ushqimet në mënyra të ndryshme, varësisht nga çfarë hamë, si e hamë dhe nga bakteret që kemi në zorrë.

Kjo do të thotë se i njëjti ushqim mund të ndikojë ndryshe te njerëz të ndryshëm. Dikush mund ta përpunojë një ushqim ndryshe nga një person tjetër, shkruan BBC.
Sa shpejt hamë

Shpejtësia me të cilën hamë ka shumë rëndësi.

Njerëzit që hanë shpejt zakonisht hanë më shumë dhe marrin më shumë kalori. Ndërsa kur hamë ngadalë, trupi prodhon hormone që na ndihmojnë të ndihemi të ngopur.

Trupit i duhen rreth 15 minuta për të kuptuar që jemi ngopur, dhe edhe më shumë që ndjenja e ngopjes të forcohet. Prandaj, nëse hamë shumë shpejt, mund të hamë më tepër se sa kemi nevojë.

Kjo shpjegon pse ndonjëherë duam diçka të ëmbël menjëherë pas ushqimit, por nëse presim pak, ajo dëshirë kalon.

Të hash ngadalë të ndihmon të ndihesh i ngopur më gjatë dhe të hash më pak më vonë. Përveç kësaj, ngrënia e shpejtë mund të rrisë sheqerin në gjak dhe me kalimin e kohës të rrisë rrezikun për diabet.

Kur hamë

Ajo që hamë ka rëndësi, një dietë me shumë perime të freskëta është më e shëndetshme se një dietë me shumë hamburgerë. Por kjo nuk është e vetmja gjë që ka rëndësi. Koha e ngrënies luan gjithashtu rol në mënyrën se si e tretim ushqimin dhe çfarë lëndësh ushqyese përthithim.

Një studim tregoi se personat obezë humbën më shumë peshë kur konsumonin shumicën e kalorive në mëngjes, krahasuar me ato që hanin më shumë në mbrëmje, edhe pse totali i kalorive ishte i njëjtë.

Një tjetër studim i vogël në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se shkurtimi i kohës mes vaktit të parë dhe të fundit gjatë ditës mund të çojë në konsum më të ulët kalorish. Të hash më herët gjatë ditës mund të ndihmojë gjithashtu. Studimet në Spanjë treguan se ata që hanin drekën më herët e kishin më të lehtë të humbnin ose të mbanin peshën.

Edhe koha e snack-eve ka rëndësi: të hash pas orës 21:00 lidhet me nivel më të lartë sheqeri në gjak dhe kolesterol të keq, duke rritur rrezikun për obezitet dhe sëmundje të zemrës.

Struktura e ushqimit

Sa kalori përthithim varet edhe nga struktura e ushqimit.

Për shembull, bajamet kanë rreth 160–170 kalori, por sa përthithim varet nga mënyra si i hamë. Nëse i përtypim mirë, përthithim më shumë kalori; nëse jo, më pak. Bajamet e bluara japin më shumë kalori se ato të plota.

Po ashtu, pureja e mollës hahet më shpejt se një mollë e plotë dhe ndikon ndryshe në ndjesinë e ngopjes. Kjo shpjegon pse ushqimet ultra të përpunuara çojnë më lehtë në shtim peshe – ato treten dhe përthithen më shpejt.

Ndryshimet individuale

Çdo person reagon ndryshe ndaj ushqimit. Studimet kanë treguar se edhe kur hanë të njëjtin ushqim, njerëzit kanë nivele të ndryshme të sheqerit në gjak. Kjo lidhet me mikrobet në zorrët tona (mikrobiota), të cilat ndryshojnë nga personi në person.

Edhe binjakët identikë mund të kenë reagime të ndryshme ndaj të njëjtit ushqim.

Kjo sugjeron se në të ardhmen mund të kemi dieta të personalizuara.

Megjithatë, siç thonë studiuesit, të gjithë duhet të konsumojmë më shumë fibra dhe të kufizojmë sheqerin, kripën dhe yndyrat. Është e rëndësishme të kemi një dietë të larmishme me fruta dhe perime për të ushqyer mikrobiomën tonë dhe për të përmirësuar shëndetin.