Mattheo Dimareli po shfaqet si një nga talentet më premtues të futbollit të të rinjve në Shtetet e Bashkuara. Me origjinë të përzier – nënë meksikane dhe baba shqiptar – 16-vjeçari ka tërhequr vëmendjen për aftësitë e tij të spikatura dhe historinë e veçantë familjare.

Anësori i majtë njihet për shpejtësinë e lartë, teknikën e rafinuar dhe goditjet e forta. Ai ka nisur paraqitjet me ekipin e të rinjve të Meksikës, ku së fundmi realizoi edhe golin e tij të parë në një ndeshje ndaj Kosta Rikës, duke lënë menjëherë gjurmë dhe duke marrë vlerësime pozitive.

Një shqiptar që shkëlqen me Meksikën

Aktualisht, Dimareli është pjesë e akademisë së Houston Dynamo në MLS, ku konsiderohet si një nga lojtarët më të perspektivë të gjeneratës së tij. Performancat e tij kanë bërë që ai të shihet si një futbollist në ngjitje të shpejtë.

Përveç talentit, edhe mundësia për të përfaqësuar në të ardhmen katër kombëtare – Meksikën, Shtetet e Bashkuara, Shqipërinë ose Greqinë – e bën edhe më intriguese karrierën e tij. Ndërsa zhvillimi i tij vazhdon, pritet që emri i Dimarelit të përmendet gjithnjë e më shumë në vitet që vijnë.