Gazetar: Petar Çaushevski
Në përvjetorin e zjarrit në të ashtuquajturën diskotekë “Puls”, në orën 02:23, kohën kur ndodhi tragjedia, para objektit të shkrumbuar, me qirinj në duar u mblodhën familjarë, miq dhe qytetarë për të nderuar viktimat. Në gardhin para objektit u vendosën zemra me emrat e viktimave.
Në Komemoracionin e mbajtur në Qendrën e Kulturës në Koçan u tha se Koçani dhe Maqedonia humbën një gjeneratë të të rinjve, që duhej të ishin e ardhmja e qytetit dhe e shtetit.
“Kaloi një vit, koha…plagët jo vetëm që nuk u mbyllën, por u bënë më të thella, më të frikshme. Viti që kaloi vetëm e përballi Koçanin me të vërtetën e tmerrshme – se ata vërtet nuk janë më. Nuk mundëm t’i mbrojmë nga vdekja, e cila jo gjithmonë është në duart e njeriut. Por mundemi ta mbrojmë kujtimin për ta”, deklaroi Bllagoj Veselinov, aktor.
Në Parkun e Revolucionit në Koçan u vendosën 63 karrige me nga një trëndafil të bardhë, si simbol i viktimave. U hap edhe një libër zie. U mbajt lutje për të ndjerët, ku morën pjesë presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministri Hristijan Mickoski dhe përfaqësues nga politika, akademia dhe shoqëria.
Zjarri në diskotekën “Puls” ndodhi vitin e kaluar gjatë performancës së grupit muzikor “DNK”. Nga aktivizimi i mjeteve piroteknike në skenë u ndez tavani, dhe flakët u përhapën shpejt në gjithë objektin. Hetimi konstatoi se klubi punonte pa licencë, pa dyer evakuimi dhe me hidrant pa ujë.
Përvjetori i tragjedisë u shënua me program tre-ditor, të organizuar nga komuna e Koçanit në bashkëpunim me shoqatën “16 mars 2025 Koçani”, Kryqin e Kuq, Kishën, Spitalin dhe Qendrën e Kulturës “Beli Mugri”./Alsat.mk.
The post Një vit pas tragjedisë në Koçan, dhimbja për 63 viktimat është bërë edhe më e thellë appeared first on Alsat.
