“Dega këtë vit nuk do të më duhet”.
Maqedonia hyn në sezonin kundër zjarreve me kapacitete të rritura në mënyrë drastike. Në kampin stërvitor në Pepelishtë, sot u prezantua njësia e parë republikane kundër zjarreve, e përbërë nga 50 automjete ushtarake dhe policore të përshtatura, të cilat tani janë vënë në funksion për shuarjen e zjarreve pyjore.
Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se kjo është modernizimi më i madh deri tani, ndërsa shteti, me këtë investim, ka kursyer dhjetëra milionë euro.
“Bëhet fjalë për automjete policore dhe ushtarake të cilat për më shumë se tetë vite nuk kanë qenë të përdorura. E patë demonstrimin, e patë si duken sot dhe mund të them se sezonin e zjarreve, i cili pritet së shpejti – ose më saktë tashmë ka filluar dhe ka zjarre në disa pjesë të shtetit – e presim shumë më të përgatitur”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.
Automjetet e përshtatura, të pajisura me rezervuarë uji dhe pompa me presion të lartë, mund të arrijnë edhe në terrenet më të paarritshme. Disa prej tyre janë versione të modernizuara të automjeteve të vjetra “Hermalin” dhe BTF70/80, të cilat prej vitesh kanë qenë të magazinuara në depot e Ministrisë së Mbrojtjes dhe MPB-së.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, theksoi se për herë të parë shteti disponon me këto lloj resurse, me ç’rast do të mund të përgjigjet më efikas ndaj zjarreve eventuale.
“Këto automjete me rezervuarë prej 1.5 tonësh mund ta çojnë ujin atje ku as njerëzit mezi depërtojnë, dhe në këtë mënyrë do të jenë me rëndësi të madhe për ne”, u shpreh Stojançe Angellov – drejtor i DMSH.
Kryeministri njoftoi se në javët në vijim shteti do të disponojë me tre aeroplanë të servisuar për shuarje zjarresh, ndërsa nga dy helikopterë policorë dhe ushtarakë janë po ashtu në gjendje gatishmërie. Për sigurinë në zonat pyjore dhe malore është vendosur edhe ndalim për lëvizje pa leje.
Qeveria siguron se vendi këtë vit është më i përgatitur se kurrë për përballjen me zjarret, me dhjetëra milionë euro të kursyera dhe resurse që nuk janë parë më parë.