Pas fitores historike të bashkëshortit të saj, Abdul El-Sayed, i cili u bë myslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan, vëmendja është përqendruar edhe te Sarah Jukaku, gruaja që qëndron pranë tij prej dy dekadash, përcjell TV21. Por Sarah nuk është vetëm bashkëshortja e një politikani që hyri në histori. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në mjekësi, është psikiatre me profesion dhe vjen nga një familje me histori të veçantë politike dhe shoqërore në Indi.

Nga Miçigani drejt universiteteve prestigjioze

Sarah Jukaku ka lindur dhe është rritur në shtetin amerikan të Miçiganit, në një familje emigrantësh me origjinë indiane.

Ajo studioi sociologji dhe studime të Lindjes së Afërt në Universitetin e Miçiganit. Më pas vazhdoi studimet në Universitetin e Oksfordit, në Britaninë e Madhe, ndërsa rrugëtimin akademik e përfundoi në Universitetin Columbia në Nju Jork, ku studioi mjekësi.

Në vitin 2015 përfundoi studimet e mjekësisë dhe më pas u specializua në psikiatri. Kështu, ndryshe nga bashkëshorti i saj, i cili u angazhua në shëndetin publik dhe politikë, Sarah ndërtoi karrierën në fushën e shëndetit mendor.

Një familje me histori politike në Indi

Një nga detajet më interesante të historisë së Sarah është prejardhja e saj familjare. Rrënjët e familjes Jukaku janë në qytetin Bhatkal, në shtetin indian Karnataka.

Gjyshi i saj, Jukaku Shamshuddin, ishte një figurë e njohur në këtë rajon. Ai ishte jurist dhe politikan, ndërsa shërbeu edhe si zëvendësministër i Financave në shtetin e atëhershëm Mysore, gjatë viteve 1950.

Ai kujtohet edhe për kontributin në zhvillimin e qytetit Bhatkal, përfshirë angazhimin për sjelljen e energjisë elektrike në këtë zonë.

Pra, Sarah vjen nga një familje që ka pasur ndikim jo vetëm në profesionet akademike dhe mjekësore, por edhe në jetën publike dhe politike të Indisë.

Babai i saj, dr. Tayeb Jukaku, është gjithashtu mjek, i specializuar në sëmundjet e veshkave. Ai studioi mjekësi në Bengaluru, ndërsa më vonë u vendos në Miçigan, ku vazhdoi karrierën si nefrolog.

Edhe pse Sarah u rrit në Amerikë, familja u kujdes që ajo të mos shkëputej nga prejardhja e saj. Vizitat në Bengaluru dhe Bhatkal ishin një mënyrë për të ruajtur lidhjet me të afërmit dhe vendlindjen e paraardhësve.

Dashuria që nisi në universitet

Sarah dhe Abdul El-Sayed u njohën gjatë studimeve në Universitetin e Miçiganit. Të dy ishin të angazhuar në organizatën e studentëve myslimanë të universitetit.

Në atë kohë, ata ishin ende studentë dhe nuk mund ta imagjinonin se vite më vonë do të gjendeshin në qendër të një prej zhvillimeve më të rëndësishme të politikës amerikane.

Çifti u martua në maj të vitit 2006. Sipas raportimeve të mediave indiane, Sarah ishte 19 vjeçe, ndërsa Abdul 21 vjeç. Sot, pas rreth 20 vitesh martesë, ata kanë dy vajza, Emmalee dhe Serene, dhe jetojnë në Ann Arbor të Miçiganit.

El-Sayed ka folur edhe për ndikimin që ka pasur familja e bashkëshortes në jetën e tij. Në një intervistë, duke iu referuar prejardhjes indiane të gruas dhe vajzave të tij, ai bëri një deklaratë me humor:

“Kam 20 vjet që jam i martuar në një familje të Indisë Jugore. Tashmë jam përshtatur aq shumë, sa ndoshta jam më shumë indian sesa arab.”

“Askush nuk i tregon atij çfarë të bëjë, përveç meje!”

Një moment që tërhoqi vëmendjen gjatë fushatës elektorale ishte edhe paraqitja e Sarah në një tubim të bashkëshortit të saj.

Ajo bëri një shaka para të pranishmëve, duke thënë: „Askush nuk i tregon atij çfarë të bëjë, përveç meje!“

Deklarata shkaktoi të qeshura te publiku dhe tregoi edhe anën më spontane të saj gjatë fushatës.