Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar pjesë të Metodologjisë për regjistrimin e popullsisë nga viti 2021 që lidhen me kategorizimin si “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, shkruan TV21. Kushtetuesja ka vlerësuar se ato nuk janë në përputhje me një nga vlerat themelore të rendit kushtetues të vendit – sundimin e ligjit.
Po ashtu, gjykata konstatoi se drejtori i Entit të Statistikave e ka tejkaluar kompetencën e tij, duke kryer kategorizimin e popullsisë në rezidentë dhe jo-rezidentë me akte nënligjore, pa pasur autorizim ligjor për ta bërë këtë.
Nga Gjykata Kushtetuese sqarojnë se, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për vendim shfuqizues dhe jo anulues, ai do të hyjë në fuqi nga momenti kur të publikohet në Gazetën Zyrtare, por nuk do të ketë efekt retroaktiv, që do të thotë se nuk do të prekë regjistrimin tashmë të kryer në vitin 2021./tv21.tv
