Nuk pati blerës për banesat luksoze të Gruevskit, shitja e dytë dështoi

Banesat luksoze në Vodno, të cilat Prokuroria i prezantoi si pasuri të fshehur të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe që u konfiskuan me vendimin gjyqësor për rastin “Parcelat në Vodno”, vazhdojnë të mbeten në pronësi të shtetit, pasi dështoi edhe tentativa e dytë për shitjen e tyre, transmeton Zhurnal.mk

Konkretisht, para një muaji Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar i shpalli për herë të dytë për shitje, por edhe këtë herë nuk pati blerës të interesuar.

“Për apartamentet e konfiskuara me vendim gjyqësor për rastin ‘Parcelat në Vodno’ nuk pati blerës të paraqitur dhe të njëjtat nuk u shitën”, na u përgjigjën nga Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar, transmeton Zhurnal.mk

Këtë herë banesat u ofruan me çmim më të ulët, përkatësisht të reduktuar për një të katërtën nga çmimi fillestar.

Bëhet fjalë për tre banesa në Vodno, me sipërfaqe të përgjithshme prej 750 metrash katrorë. Fillimisht, banesat ishin vlerësuar me vlerë totale prej 2.4 milionë eurosh, ndërsa tani çmimi i tyre u ul në 1.843.000 euro, transmeton Zhurnal.mk

Apartamentet janë të pajisura në mënyrë luksoze dhe nga ballkonet e mëdha, me sipërfaqe sa një banesë mesatare, Gruevski duhej të kishte një pamje mbresëlënëse mbi gjithë Shkupin.

Njëri prej apartamenteve ka sipërfaqe prej 155 metrash katrorë, me ballkon prej 95 metrash katrorë. Herën e parë ky apartament u shit në ankand me çmim 760.000 euro, ndërsa herën e dytë u ofrua për 569.662 euro. Nga fotografitë e publikuara shihet se banesa është e pajisur me xhakuzi, transmeton Zhurnal.mk

Apartamenti i dytë ka sipërfaqe prej 199 metrash katrorë, me ballkon prej 48 metrash katrorë dhe fillimisht u ofrua për 847.000 euro, ndërsa më pas çmimi u ul në 635.220 euro.

I treti është pothuajse me përmasa identike, përkatësisht 200 metra katrorë, me ballkon prej 48 metrash katrorë. Fillimisht u vlerësua në 851.000 euro, ndërsa tani u ofrua për 637.896 euro, transmeton Zhurnal.mk

Gruevski për rastin “Parcelat në Vodno” në shkallë të parë u dënua me shtatë vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit e ndryshoi vendimin dhe ia rriti dënimin në nëntë vjet burg. Në këtë lëndë, përveç blerjes së paligjshme të parcelave në Vodno, Gruevski u shpall fajtor edhe për keqpërdorim të donacioneve partiake.

Sipas aktakuzës, në periudhën nga qershori i vitit 2006 deri në tetor 2012, ai si lider partie, në vend që t’i paraqiste paratë si donacione të pranuara për VMRO-DPMNE-në, për vete përfitoi 1.3 milionë euro, të cilat më pas i futi në qarkullim dhe me to bleu parcela në Vodno, transmeton Zhurnal.mk