Video që qarkullojnë në rrjetet sociale thuhet se paraqesin pamje me dhjetëra trupa përpara një morgu në periferi të kryeqytetit të Iranit, Teheran. Sipas informacioneve, videoja tregon Qendrën e Mjekësisë Ligjore Kahrizak. Pamjet përputhen me fotografi të tjera të disponueshme nga i njëjti objekt, të publikuara në internet, përcjell TV21. Agjencia Amerikane e Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut, e cila ka raportuar edhe për trazira të mëparshme, njoftoi se të paktën 599 persona janë vrarë, prej të cilëve 510 demonstrues dhe 89 pjesëtarë të forcave të sigurisë.
Agjencia thekson se mbi 10.600 persona janë arrestuar gjatë protestave dyjavore. Organizata mbështetet në përkrahës brenda Iranit, të cilët i verifikojnë informacionet mes vete. Me ndërprerjen e internetit dhe linjave telefonike në Iran, vlerësimi i përmasave të protestave nga jashtë po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Qeveria e Iranit ende nuk ka publikuar të dhëna zyrtare për numrin e viktimave.
