“Takimin e ka bërë si kryetar komune dhe janë marrë vesh për ta kthyer rusishten në komunën e Kumanovës, për ta mësuar në shkollat e Kumanovës. Pra, është në nivel lokal dhe nuk flasim për politika qeveritare. Se cili është mendimi jonë – aty nuk pajtohemi. Nuk është në interes të fëmijëve tanë ta mësojnë rusishten apo t’i orientojmë andej”.

Kështu zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti në Click Plus në TV21 ka pohuar se takimi i kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski – pjesë e koalicionit qeveritar me ambasadorin rus, mund të sjellë deri te ajo që nxënësit shqiptarë të Kumanovës në të ardhmen ta mësojnë rusishten dhe historinë e saj.

Mexhiti tha se nuk mund të ndërhyjnë në politikat lokale, megjithëse shtoi se janë kundër saj dhe se shprehu besimin se një vendim i tillë do të kundërshtohet nga këshilltarët shqiptarë në Kumanovë – si të VLEN poashtu edhe të Frontit Europian.

“Këshilltarët shqiptarë që janë në Kumanovë, pa marrë parasysh a i takojnë VLEN-it, Frontit… me siguri do ta kundërshtojnë këtë ide dhe nuk do ta mbështesin, por i mbetet atij sepse ai mandatin e ardhshëm do të dalë të kandidojë dhe do të kërkojë vota shqiptare, dhe mendoj se këto politika komunale, që nuk janë në interes të shqiptarëve, do ta penalizojnë në ditën e zgjedhjeve”, tha Mexhiti.