“Sot do të shkoj pak më herët në shtëpi, sepse zakonisht shkoj në orën 9–10 të mbrëmjes çfarë tjetër t’ju them, privatisht, sonte jam në opera.”

Me këtë, Prokurori Publik i Shtetit Ljupço Kocevski e përfundoi mandatin e tij pasi paraqiti dorëheqje të parevokueshme. Kocevski e bëri këtë para se të niste debati në Kuvend për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij. Ai tha se kjo procedurë është një vendim politik.

 “Që nga fillimi kam pohuar se procedura e mundshme për shkarkimin tim është një vendim politik. Prandaj sot paraqita dorëheqje të parevokueshme. Funksionin që gjatë këtyre gati dy viteve e kam ushtruar me ndershmëri dhe dinjitet, e lë me kokën lart, por edhe me zhgënjim për shkak të mosrespektimit të dukshëm të parimeve mbi të cilat mbështetet shteti i së drejtës”, tha Lupço Kocevski – ish-kryeprokuror.

Ai theksoi se propozimin për shkarkim nuk e ka marrë fare, ndërsa njoftimin për seancën e ka pranuar vetëm një orë para fillimit të debatit për këtë pikë.

 “Bëhet fjalë për një propozim që nuk mbështetet as në ligj dhe as në fakte, por përbën një precedent të rrezikshëm me pasoja afatgjata për pavarësinë e Prokurorisë Publike. Ky propozim, nga ajo që kam dijeni, si bazë për shkarkim përmban vetëm tre rreshta dhe asnjëri prej tyre nuk ka arsyetim apo mbështetje të argumentuar”, deklaroi Lupço Kocevski – ish-kryeprokuror.

Seanca e Kuvendit, e cila filloi gjysmë ore më vonë, aq sa zgjati edhe fjalimi i Kocevskit, vetëm konstatoi dorëheqjen e tij.

 “Ju njoftoj se zoti Ljupço Kocevski, më 16.12.2025, ka paraqitur kërkesë për ndërprerjen e funksionit të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Konstatoj se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përputhje me nenin 86, paragrafi 2 të Ligjit për Prokurorinë Publike, ia ka konstatuar zotit Ljupço Kocevski përfundimin e funksionit të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Me konstatimin e dorëheqjes është ndërprerë mandati i Kocevskit si Prokuror Publik i Shtetit, ndërsa në periudhën në vijim pritet të fillojë procedura për zgjedhjen e pasardhësit të tij.

Dorëheqja vjen pas propozimit të Qeverisë për shkarkimin e tij, në të cilin u përmendën këto arsye:

“Për shkak të gabimeve të rënda profesionale në udhëheqjen e Prokurorisë Publike, që kanë çuar në cenimin e efikasitetit dhe funksionalitetit të saj. Nxjerrje e paautorizuar e informacioneve dhe të dhënave për lëndë gjyqësore, me ç’rast është shkelur detyrimi për mbrojtjen e fshehtësisë së procedurës sipas ligjit. Dëmtim i reputacionit të Prokurorisë Publike dhe i reputacionit të tij personal”, u shpreh Maria Miteva – zëdhënëse e Qeverisë.

Për Kocevskin, në fund të korrikut të këtij viti, ishte votuar interpelancë, por ai edhe më tej vazhdoi ta ushtrojë funksionin. Ai u emërua Prokuror Publik i Shtetit në shkurt të vitit 2024.