Ish-Presidenti amerikan, Barack Obama, kritikoi të shtunën presidentin Donald Trump për politikat e tij, të cilat i cilësoi si kaotike, duke paralajmëruar për rreziqet që kërcënojnë demokracinë amerikane.
Obama shprehu kritikat gjatë një tubimi në mbështetje të kandidates për guvernatore të Virxhinias, Abigail Spanberger, dhe kandidatit për guvernator të Nju Xhersit, Mickey Sherrill.
“Le ta pranojmë, vendi dhe politika jonë janë në një gjendje mjaft të zymtë tani,” u tha ish-presidenti mbështetësve të Spanberger të mbledhur në Universitetin Old Dominion në Norfolk, Virxhinia.
“Është e vështirë të dish nga t’ia fillosh, sepse çdo ditë kjo Shtëpi e Bardhë u ofron qytetarëve një grumbull të ri paligjshmërie, pakujdesie dhe çmendurie dashakeqe – dhe thjesht të pakuptimtë,” shtoi ai.
Obama kritikoi ashpër politikat “kaotike” të tarifave të Trump dhe vendosjen e Gardës Kombëtare në shtete të ndryshme amerikane.
“A po funksionon ekonomia më mirë për ju? Sepse sigurisht që ka funksionuar më mirë për Trumpin dhe familjen e tij,” theksoi ai.
Rezultatet e zgjedhjeve për guvernator në Virxhinia dhe Nju Xhersi, të cilat do të mbahen të martën, priten me padurim, pasi ato do të shërbejnë si një barometër i mundshëm për zgjedhjet e mesit të mandatit në vitin 2026.
Abigail Spanberger, një ish-anëtare e CIA-s dhe senatore për gjashtë vjet, shihet si favorite për të fituar në Virxhinia. Megjithatë, Mickey Sherrill duket se po lufton krah për krah me republikanin Jack Ciattarelli në Nju Xhersi.

