Mbipesha po shndërrohet në një problem serioz shëndetësor në vend, me një prevalencë prej 30–35%, ndërsa trendi është në rritje, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët, transmeton TV21.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu theksoi se obeziteti është sëmundje kronike e lidhur me mbi 200 komorbiditete, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe diabetin e tipit 2. Ai nënvizoi se përballja me këtë fenomen kërkon një përgjigje multisektoriale dhe rritje të vetëdijes publike.

Në këtë drejtim, është theksuar rëndësia e funksionimit të qendrave për trajtimin e obezitetit në Klinikën e Endokrinologjisë dhe në SPQ “8 Shtatori”.

Një qendër e re për menaxhimin e obezitetit është hapur këtë javë edhe në spitalin e Ohrit, duke mbuluar rajonin jugperëndimor.

Në simpoziumin e organizuar nga OBEM u kërkua fokus më i madh në parandalim dhe bashkëpunim institucional.

Ministria njofton se do të vazhdojë mbështetjen përmes programeve për insulinë, glukagon dhe pajisje për matjen e sheqerit në gjak. Theksi do të vihet edhe te edukimi për kontrollin e diabetit, i lidhur ngushtë me obezitetin.