Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë thirrje për veprime vendimtare politike kundër alkoolit për të parandaluar dhjetëra mijëra raste të kancerit në Evropë, thuhet në komunikatën e publikuar sot.
“Politikat e forta për alkoolin janë ndër investimet më të zgjuara që mund të bëni”, thanë Zyra rajonale e OBSH-së për Evropën dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARK) në një raport gjithëpërfshirës mbi parandalimin e kancerit.
Politika të tilla shpëtojnë jetë, kursejnë para dhe tregojnë rezultate brenda pak vitesh, thuhet në komunikatë.
Në raportin e ri, të dhënat e OBSH-së tregojnë se Bashkimi Evropian është subrajoni me konsumin më të lartë të alkoolit në botë, ndërsa njëherit një nga rajonet ku kanceri konsiderohet tashmë një shkak kryesor i vdekjes.
Në vitin 2020, alkooli shkaktoi rreth 111.300 raste të reja të kancerit në Bashkimin Evropian, duke përfshirë dhjetëra mijëra raste të kancerit në zorrën e trashë, gjirit dhe gojës.
IARK për herë të parë e shqyrton nga afër parandalimin e kancereve të lidhura me alkoolin, të cilat ekspertët thonë se përfshijnë të paktën shtatë lloje të ndryshme të kancerit.