Pothuajse një e treta e të rinjve në Turqi janë jashtë sistemit arsimor dhe tregut të punës, sipas një raporti të fundit të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), raporton “Türkiye Today”.
Sipas studimit “Education at a Glance 2025”, 31.3% e të rinjve turq të moshës 18 deri në 24 vjeç klasifikohen si “NEET” – pra të rinj që nuk ndjekin shkollim, nuk janë të punësuar dhe nuk ndjekin ndonjë trajnim profesional. Kjo shifër është më shumë se dyfishi i mesatares së OECD-së, që është 14.1%.
Kur bëhet ndarja sipas gjinisë, 22.1% e meshkujve dhe 41.6% e femrave i përkasin kësaj kategorie. Ndërkohë, hendeku gjinor mesatar në vendet e OECD-së është vetëm 1.5 pikë përqindje.
Raporti gjithashtu evidenton se Turqia ka normën më të ulët të punësimit ndër vendet anëtare të OECD-së – si për personat me arsim të mesëm, ashtu edhe për ata me arsim të lartë.
Vetëm 63% e qytetarëve me arsim të mesëm dhe 75.4% e atyre me arsim të lartë janë të punësuar, shumë më poshtë se mesatarja e OECD-së që është 77.6% dhe 87.1%, respektivisht.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese është fakti se, në mesin e të rriturve të moshës 25 deri në 64 vjeç me arsim të lartë, gati një në katër (24.6%) janë të papunë.
