Gazetar: Suad Bajrami
Organizatat civile reagojnë ndaj glorifikimit të figurës së kriminelit serb të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit Uranija Pirovska kërkon që menjëherë të shkarkohet drejtori i Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve, Dalibor Kitanoviq i cili vjen nga partia e Ivan Stoilkoviqit. Madje, sipas Pirovskës, Kitanoviq duhet të mbajë përgjegjësi penale.
“Dalibor Kitanoviq duhet të përgjigjet penalisht sipas nenit 407-a të Kodit Penal! Të jetë absurdi edhe më i madh, ai kryen funksion të drejtorit të Agjencisë për Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve! Nuk ka këtu hapësirë për vendosjen e tij. Një njeri me qëndrime të tilla nuk duhet dhe nuk guxon të jetë ushtrues i çfarëdo funksioni, e më së paku këtë që aktualisht e kryen”, shkruan Pirovska.
Glorifikimin e Mlladiqit nga ana e partisë së Stoilkoviqit Qendra për Liri – Civil, e quan sulm ndaj viktimave, të vërtetës dhe rendit demokratik.
“Kryeministri Hristijan Mickoski të hapë procedurë për shkarkimin e Dalibor Kitanoviqit, ndërsa institucionet kompetente dhe Prokuroria të hapin procedurë për përgjegjësinë e tij ligjore. Të konstatohet përgjegjësi politike dhe institucionale e ministrit Ivan Stoilkoviq dhe të hapet procedurë përkatëse për shkarkimin e tij dhe përgjegjësinë ligjore. Partia Serbe ta tërheqë publikimin kontestues, publikisht t’u kërkojë falje viktimave dhe pamëdyshje t’i pranojë aktgjykimet e plotfuqishme ndërkombëtare”, reagojnë nga OJQ Civil.
Pranimi ose justifikimi i gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit ose krimeve të luftës është vepër penale, e cila sipas Kodit Penal dënohet me burg 1 deri në 5 vjet burg ose së paku 4 vjet burg. Për të gjitha veprat e rënda të cilat përshkruhen në Kodin Penal që nuk guxojnë të justifikohen, Ratko Mlladiq është dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hangës.
Pavarësisht ligjit, partia serbe e Ivan Stoilkoviqit shkel me dy këmbë mbi këtë dispozitë ligjore, ndërsa Prokuroria ende nuk ka hapur procedurë. /Alsat.mk.
The post OJQ-të kërkojnë përgjegjësi penale për Stoilkoviqin dhe Kitanoviqin për glorifikimin e Ratko Mlladiqit appeared first on Alsat.
