Omani i ka paraqitur Iranit një propozim për një mekanizëm të përbashkët rajonal për të menaxhuar Ngushticën e Hormuzit me tarifa vullnetare, shkruan agjencia e lajmeve Reuters duke u thirrur në burime të saj. 

Sipas propozimit të Omanit, i cili ka mbështetje rajonale, Irani nuk do të ushtronte kontroll të vetëm mbi këtë rrugë ujore. Propozimi bazohet në Ngushticën e Malakës, ku ata që e përdorin ngushticën kontribuojnë vullnetarisht për të financuar lundrimin, mbrojtjen e mjedisit dhe kërkim-shpëtimin. 

SHBA-ja ka pezulluar sulmet ajrore kundër Iranit gjatë fundjavës, duke rritur shpresat për një zgjidhje diplomatike që do të lejonte rifillimin e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit. 

Presidenti amerikan, Donald Trump të hënën ka thënë se Shtetet e Bashkuara po zhvillonin “bisedime të mira” me Iranin dhe se kishte një shans për një marrëveshje, por ai ka paralajmëruar se sulmet e SHBA-së do të rifillonin nëse negociatat nuk do të jepnin rezultate. 

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, ka diskutuar të hënën për Ngushticën e Hormuzit me homologët e tij nga Omani dhe Arabia Saudite. Argchi ka theksuar nevojën për të forcuar bashkëpunimin dhe për të çuar përpara përpjekjet e përbashkëta diplomatike për të vendosur stabilitet në rajon dhe për të hequr pasigurinë e imponuar në Ngushticën e Hormuzit për shkak të veprimeve agresive të Shteteve të Bashkuara, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme të Iranit.