Operacion dramatik për shpëtimin e një vajze në Austri, mbeti e bllokuar në kazanin e tharëses së rrobave

Një vajzë 13-vjeçare në Austri është nxjerrë nga një tharëse rrobash pas një operacioni të ndërlikuar shpëtimi, pasi kishte mbetur e bllokuar në hapësirën e ngushtë të kazanit të pajisjes.

Ngjarja ka ndodhur në periferi të Vjenës, në Mödling. Sipas Brigadës së Zjarrfikësve, vajza ishte ngjitur në tharëse, por më pas nuk kishte mundur të dilte vetë.

Shërbimet e emergjencës u thirrën mbrëmë dhe fillimisht tentuan ta lironin vajzën pa përdorur pajisje teknike. Kur kjo dështoi, ata u detyruan ta çmontojnë tharësen për ta bërë të dukshme pjesën e brendshme të kazanit.

Gjatë operacionit, gjendja e vajzës filloi të përkeqësohej. Ajo u ankua për dhimbje dhe nisi të humbiste vetëdijen, ka treguar një zjarrfikës. Kjo i detyroi ekipet e shpëtimit të përdorin gërshërë hidraulike për të hequr pjesët e fundit të mbulesës dhe për ta liruar plotësisht fëmijën.

Ende nuk dihet pse vajza ishte futur në tharëse dhe sa kohë kishte qëndruar e bllokuar para mbërritjes së zjarrfikësve.