Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, e ka përshëndetur veprimin e autoriteteve amerikane për kapjen e presidentit venezuelas Nikolas Maduro dhe bashkëshortes së tij. Mucunski, në një postim në profilin e tij në rrjetin social X, thotë se është për t’u përshëndetur fakti që Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë. “E përshëndes njoftimin e Donald Trump se Nikolas Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë,” shkruan Ministri i Jashtëm i Maqedonisë. Në përkrahje të operacionit kanë dalë edhe Shqipëria dhe Kosova. Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, shkroi se populli venezuelas ka një të drejtë të pamohueshme për liri, demokraci dhe sundim të ligjit dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë përballë shtypjes dhe frikës. Ndërsa kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar se mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie./TV21
