Qeveria në detyrë e Kosovës do të mblidhet të mërkurën, një ditë pasi opozita ua kundërshtoi kryeministrit dhe ministrave verifikimin si deputetë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Nuk është publikuar ende rendi i ditës, por është njoftuar se mbledhja do të mbahet me fillim prej orës 10:00.

Sipas opozitarëve, dokumentet e dorëheqjes nuk i ishin prezantuar me kohë komisionit të përkohshëm për verifikim të mandateve në seancën konstituive të thirrur të martën. Me vetëm 52 vota pro verifikimit, raporti nuk kaloi dhe seanca u ndërpre.

Në deklaratat pasuese, opozitarët thanë se zyrtarët qeveritarë nuk është dashur të qëndrojnë në zyrat qeveritare, nëse kanë dhënë dorëheqje më herët.