Gazetare: Melihate Rustemi

Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna të Shkupit ka nxitur reagime politike nga partitë opozitare. Nga LSDM-ja akuzojnë institucionet për reagim të vonuar dhe mungesë të masave parandaluese, ndërsa kërkojnë një përgjigje më të gjerë dhe të koordinuar nga institucionet shëndetësore. Nga LSDM-ja kërkojnë formimin e një shtabi kombëtar operativ, krijimin e një harte kombëtare të rrezikut dhe monitorim më intensiv të mushkonjave. Sipas tyre, insektet duhet të kapen dhe të testohen për praninë e virusit, ndërsa zonat ku rritet numri i mushkonjave duhet të identifikohen në kohë.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për spërkatje kundër mushkonjave, por për masa serioze shëndetësore dhe ndërhyrje sistematike. Duhet të ketë mbikëqyrje intensive entomologjike, testim të mushkonjave për virusin e Nilit Perëndimor, hartëzim dhe eliminim të vendeve të shumimit, kontroll të integruar të vektorëve dhe raportim publik ditor për gjendjen dhe vlerësimin e rrezikut në të gjithë vendin. Përballja me një epidemi nuk është vetëm spërkatje kundër mushkonjave dhe konferencë për shtyp”, tha Keti Shterjova nga LSDM.

E Majta thotë se institucionet kanë pasur kohë të mjaftueshme për të ndërmarrë masa parandaluese. Në reagimin e tyre shtrohet pyetja se sa efektive janë realisht spërkatjet kundër mushkonjave. E Majta kërkon që të matet numri i mushkonjave para dhe pas dezinsektimit, në mënyrë që të dëshmohet nëse trajtimet kanë sjellë rezultat dhe sa është reduktuar popullata e tyre.

“Epidemia e etheve të Nilit Perëndimor në komunat e Shkupit është edhe një tjetër dëshmi e paaftësisë, papërgjegjshmërisë dhe mosveprimit të pushtetit, i cili kishte gjithë pranverën dhe gjysmën e verës për ta parandaluar rrezikun. Mushkonjat nuk u shfaqën brenda natës dhe virusi i Nilit Perëndimor nuk është kërcënim i ri dhe i panjohur. Ngritja e një avioni mbi Shkup nuk është dëshmi se dezinsektimi ka qenë i suksesshëm. Duhet të matet sa mushkonja ka pasur para trajtimit, sa kanë mbetur pas tij dhe sa është reduktuar realisht popullata”, thuhet në reagimin e partisw E Majta.

Opozita kërkon gjithashtu transparencë për kohën e reagimit pas çdo rasti të konfirmuar. Sipas tyre, Qyteti i Shkupit dhe institucionet kompetente duhet të publikojnë datën e konfirmimit të rastit, kohën kur është dhënë sinjalizimi epidemiologjik dhe datën kur është kryer dezinsektimi në zonën përkatëse. Opozita kërkon që institucionet të mos kufizohen vetëm në spërkatjen kundër mushkonjave, por të forcojnë monitorimin, parandalimin dhe informimin e qytetarëve. Ndërkohë, banorët e komunave të prekura vazhdojnë të shprehin shqetësim për numrin e madh të mushkonjave dhe kërkojnë masa më efikase në terren. /Alsat.mk

The post Opozita ka kritikuar institucionet për reagim të vonuar ndaj epidemisë së etheve të Nilit Perëndimor në disa komuna të Shkupit appeared first on Alsat.