Opozita me akuza për Korridorin 8, Qeveria i hedh poshtë

Debati për projektin e Korridorit 8 vazhdon të thellohet, me opozitën e cila akuzon për parregullësi dhe mungesë transparence, ndërsa që qeveria i mohon kategorikisht këto pretendime.

Përfaqësues të opozitës kanë deklaruar se procesi i realizimit të Korridorit 8 po shoqërohet me shkelje procedurale dhe dyshime për keqmenaxhim, duke kërkuar sqarime të detajuara nga institucionet përgjegjëse.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), sot përsëri në një komunikatë për media pretendoi se qeveria nuk do ta vazhdojë projektin e autostradës Strugë–Qafë Thanë, dhe akuzoi se qeveria po fshehet pas “kërkesave të UNESCO-s”.

“UNESCO nuk është arsye për ndalim. UNESCO është justifikimi që po përdoret për të maskuar një vendim politik për ndërprerjen e një korridori strategjik”, tha kjo parti opozitare.

Sipas BDI problemi nuk është teknik, por politik dhe e drejtoi gishtin përsëri tek VLEN-i.

“Vlen është pjesë e qeverisë dhe mbanê përgjegjësi të drejtpërdrejtë. Në një projekt që prekë drejtpërdrejtë lidhjen me Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve, nuk ka pasur as qëndrim, as kundërshtim, as reagim. Të përdorësh UNESCO-n si mbulesë për ndërprerjen e lidhjeve strategjike është e papranueshme. Të jesh në qeveri dhe ta pranosh këtë pa fjalë, është tradhëti politike.”, thon nga BDI, transmeton Zhurnal.mk.

Mirëpo pretendimet nga BDI dhe të opozitarëve të tjerë mohohen nga qeveritarët e VLEN-it.

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali në intervistën për PodGo ka folur për Korridorin 8 duke thënë se projekti i nisur do të vazhdojë dhe i kualifikoi pretendimet e opozitës si “propagandë”.

“Për opinionin, për arsye se opozita mjet të vetëm e ka propagandën, një projekt që ka prioritet NATO-n dhe BE-në, a mundemi ta ndryshojmë? Nuk mendoj se kemi kapacitet të tillë politik për të ndryshuar atë, realizues i së cilës është një kompani multinacionale që vjen nga SHBA. E kuptoj se opozita nuk bën politika të shëndosha dhe ja po merren me propagandë. Nuk duhet të jemi ne pre e saj”, ka thënë Sali.

Duhet ta dimë, shton ai, se për disa çështje nuk duhet të diskutohet, janë në interes të përgjithshëm, shtetëror edhe rajonal dhe me partnerët tanë strategjik.

“Është mëkat të keqpërdoren besimi dhe instrumentet që shfrytëzon popullata masovikisht, siç janë portalet për të bërë propagandë. Asnjë propagandë oponentëve deri sot nuk u doli e vërtetë. Projekti i nisur do të vazhdojë”, ka thënë zëvendëskryeministri i parë Sali.

Ndërsa ditë më parë edhe Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, ka sqaruar ecurinë e punimeve në Korridorin 8, duke vënë theksin te segmenti Trebenishtë – Qafë Thanë dhe sfidat e hasura nga projektimi i kaluar.

Përmes një komunikimi për opinionin publik, Zekolli ka bërë të ditur se progresi në Korridorin 8 është i dukshëm në të gjitha segmentet ku janë përmbushur kushtet ligjore. Megjithatë, ajo ka zbuluar një lëshim serioz në projektin fillestar të segmentit Trebenishtë – Qafë Thanë.

Problemi me UNESCO-n dhe projektet e “ngrira” sipas Zekollit, gjatë fazës së projektimit fillestar që është trashëguar, nuk është kërkuar mendim nga UNESCO, pavarësisht se bëhet fjalë për një zonë tejet të ndjeshme.

“Në takimin e fundit me përfaqësuesit e UNESCO-s, janë paraqitur qartë vërejtjet për projektin aktual të cilin e kemi trashëguar. Për ne është thelbësore që të mos rrezikohet në asnjë moment statusi i vendit tonë në këtë organizatë,” u shpreh Zekolli.

Zekolli thotë se projekti do të vazhdoi deri ne kufirin me Shqipërinë, përkundër që tash për tash, për shkak të rregullave të UNESCO-s për ruajtje ambienti dhe trashëgime kulturore, po shqyrtohen opcione për segmentin afer Liqenit të Ohrit.