Lideri i opozitës së qendrës së djathtë në Hungari, Peter Magyar, ka njoftuar se kryeministri shumëvjeçar Viktor Orbán ka pranuar humbjen në zgjedhjet parlamentare.
“Kryeministri Viktor Orbán sapo më telefonoi për të më uruar për fitoren tonë,” shkroi Magyar në rrjetet sociale të dielën.
Sipas rezultateve paraprake, partia opozitare Tisza e drejtuar nga Magyar ka arritur 52.49% të votave, ndërsa partia në pushtet Fidesz e Orbán ka marrë 38.83%, me 53.45% të votave të numëruara.
Të dhënat e pjesshme tregojnë se Tisza kryeson në 95 nga 106 zonat zgjedhore, ndërsa projektohet të sigurojë mbi 130 mandate në parlamentin prej 199 vendesh. Për të formuar shumicën nevojiten të paktën 100 ulëse.
Nga terreni në Budapest, raportimet theksojnë se kjo epërsi e opozitës mund të përkthehet në një ndryshim historik politik në vend.
Ndërkohë, Zyra Kombëtare e Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja deri në orën 18:30 kishte kaluar 77%, një rekord në historinë e zgjedhjeve në Hungarinë post-komuniste.
Magyar u shpreh “i kujdesshëm, por optimist” për rezultatin përfundimtar, duke u bërë thirrje qytetarëve për qetësi:
“U kërkoj mbështetësve tanë dhe të gjithë hungarezëve: të qëndrojmë të qetë, të gëzuar dhe, nëse rezultatet konfirmojnë pritjet tona, të festojmë me një karnaval të madh hungarez,” deklaroi ai.
Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen në orët në vijim, ndërsa vendi mund të jetë në prag të një epoke të re politike.
