Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, sot ka publikuar një koment të ashpër në X nga Kopenhaga, ku po mbahet takimi joformal i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, si dhe samiti i Komunitetit Politik Evropian.
“Kopenhagë, dita e dytë. Situata është serioze. Në tryezë janë propozime të hapura për luftë. Dëshirojnë të dorëzojnë fonde të BE-së për Ukrainën. Po përpiqen të përshpejtojnë anëtarësimin e Ukrainës me çdo lloj manovrimi ligjor”, shkroi fillimisht ai.
“Dëshirojnë të financojnë dërgesat e armëve. Të gjitha këto propozime tregojnë qartë se ekipi nga Brukseli dëshiron luftë. Unë do të qëndroj fort me qëndrimin hungarez, por ky samit gjithashtu dëshmon se muajt në vijim do të karakterizohen nga kërcënimi i luftës. Do të na duhet mbështetja e gjithë komunitetit politik dhe çdo hungarezi që dëshiron paqe”, pohoi Orban.
Kujtojmë se prej dje në kryeqytetin danez po mbahet takimi joformal i krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së, dhe sot vazhdon samiti i Komunitetit Politik Evropian (KPE).
Mikpritëse është kryeministrja daneze, Mette Frederiksen dhe takimet janë dedikuar sigurisë së Evropës, kërcënimeve hibride, migracionit dhe mbështetjes për Ukrainën.
Sipas raporteve nga terreni dhe informacioneve zyrtare të Këshillit të BE-së, liderët po diskutojnë propozimin për të përdorur një pjesë të pasurive të ngrira ruse për financimin e Ukrainës, për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të saj në BE dhe për të siguruar fonde shtesë për ndihmën ushtarake.Danimarka dhe anëtaret e tjera paralajmërojnë për rritjen e rrezikut të luftës hibride dhe nevojën për forcimin e bashkëpunimit mbrojtës.
Edhe pse ekziston një konsensus i gjerë për nevojën e investimeve më të mëdha në siguri, propozimet për përdorimin e fondeve të ngrira ruse dhe anëtarësimin e përshpejtuar të Ukrainës shkaktojnë ndarje mes vendeve anëtare.