Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti Nacional kundër Dhunës ndaj Grave kanë reaguar ashpër pas rasteve të fundit të dhunës në Ohër dhe Manastir, duke akuzuar institucionet për dështim në mbrojtjen e viktimave. Në reagim, organizatat theksojnë se pas femicidit të 17-vjeçares në Bogdanci, brenda një jave janë regjistruar edhe dy raste të tentim-femicidit. Sipas tyre, këtë vit në vend janë regjistruar shtatë femicide.

Ato kërkojnë hetim të plotë për rastin në Ohër, paraburgim për të dyshuarin, gjetjen e personit që u arratis nga stacioni policor në Manastir, si dhe përcaktimin e përgjegjësisë së zyrtarëve institucionalë për çdo lëshim. Organizatat kërkojnë gjithashtu mbrojtje më të madhe për viktimat, zbatim të Konventës së Stambollit dhe përgjegjësi për të gjithë ata që justifikojnë ose normalizojnë dhunën ndaj grave. Në reagim kritikohet edhe retorika e përfaqësuesve politikë dhe fetarë që, sipas tyre, minimizon dhunën dhe cenon barazinë gjinore./TV21