Bujar Osmani është deklaruar publikisht pas zgjedhjeve lokale të 19 tetorit, ku ai humbi garën për kryetar të Çairit, njofton TV21.

Me anë të një postimi të gjatë në profilin e tij në Facebook, Osmani ka bërë të ditur “se humbja për të nuk është fund, por një moment reflektimi dhe riorientimi”. Ai ka folur për heshtjen pas zgjedhjeve, për mësimet që ka nxjerrë dhe për rikthimin e tij në profesionin e kirurgut.

“Humbja nuk është fund, është rikalibrim i drejtimit. Ajo të mëson dhe jep edhe më shumë durim, empati dhe një ambicie të re: jo për t’u ngjitur, por për të ndërtuar,” ka shkruar Osmani.

Në mesazhin e tij, ai thekson se politika shpërblen shpesh paraqitjen më shumë se ndershmërinë, por se për të, lidershipi nuk matet me pozitën, por me qëndrimin.

“Unë nuk jam tërhequr; jam rikalibruar. Jam këtu, me më shumë përvojë, më shumë qetësi dhe më shumë bindje se rruga e vërtetë nuk është ajo që të ngre përkohësisht, por ajo që të mban i drejtë përgjithmonë,” ka theksuar ai.

Osmani tregon se pas humbjes është rikthyer në profesionin e tij si kirurg, duke e cilësuar këtë rikthim si mënyrën për të gjetur ekuilibrin dhe qetësinë e munguar. Ai shton se humbja i ka shërbyer për të rivlerësuar motivet dhe prioritetet e tij në shërbim të publikut.