Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 18 vjetorit të Pavarësisë, lirinë e fituar e ka quajtur sakrificë të përjetshme. Derisa u shpreh se pavarësia e Kosovës është fituar me mund, gjak, sakrifica dhe me durim.

“18 vjet më parë Kosova u ngrit nga vuajtja në dinjitet e nga rezistenca në shtetësi, duke dëshmuar kështu se liria e fituar me sakrificë është e përjetshme. 18 vjet më parë Kosova u shpall shtet i lirë, i pavarur dhe sovran, duke i dhënë fund një udhëtimi të gjatë e të dhimbshëm, por edhe duke hapur një kapitull të ri të historisë sonë kombëtare. Pavarësia e Kosovës u fitua me mund, gjak, sakrifica dhe me durim shekullorë”, tha Osmani.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në fjalën e saj në Kuvend ka përmendur ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë. Ajo u shpreh se çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet gjenocidale të Serbisë, jo vetëm që minon drejtësinë por e njëjta dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë.

“Krerët e UÇK-së që sot gjenden në Hagë së bashku me mijëra luftëtarë të tjerë u ngritën për liri, dinjitet dhe për të drejtën për të jetuar të lirë në atdheun e tyre. Prandaj çdo përpjekje për ta barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet gjenocidale të Serbisë, jo vetëm që e minon drejtësinë por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjatë në rajonin tonë. Populli i Kosovës sakrifikoi gjithçka, deri edhe fëmijët në djep në mënyrë që ne sot ta gëzojmë lirinë, prandaj nuk do ta pranojmë asnjëherë në Kosovë e kudo në botë ndonjë narrativë që barazon agresorin me viktimën, pushtuesin me të pushtuarin e krimin me rezistencën për liri, tha ajo.

Ajo falënderoi aleatët e Kosovës, derisa u shpreh se Kosova duhet të ruhet si amanet.

“Në këtë përvjetor dua ti falënderoj aleatët tanë që i ndërtuam me vizionin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Sot pas 18 vitesh shtetësi, përgjegjësie jonë e përbashkët është që idealin për të cilin u flijuan dëshmorët ta vazhdojmë. Le ta ruajmë Kosovën si amanet dhe ta ruajmë lirinë si vlerën më të shtrenjtë dhe ta ndërtojmë shtetin si shtëpi të përbashkët për të gjithë brezat që vijnë pas nesh”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.