Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë direkte në ”Click” të RTV21 nga SHBA-të ka folur për pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes, zotimet politike të vendit dhe fuqizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ajo ka theksuar rëndësinë e angazhimit ndërkombëtar, raportet me Shtetet e Bashkuara dhe mbështetjen e presidentit amerikan, Donald Trump, duke e cilësuar këtë një hap strategjik për Kosovën dhe për integrimin e vendit drejt NATO-s dhe misioneve paqeruajtëse globale.
Intervista e plotë me Presidenten Vjosa Osmani
RTV21: Presidente, mirëmbërma.
Vjosa Osmani: Mirëmbërma, përshëndetje për të gjithë.
RTV21: Ju përfaqësuat Kosovën në takimin inaugurues të Bordit të Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump. Një zhvillim i madh për Kosovën në një kohë sfiduese apo?
Vjosa Osmani: Absolutisht. Kosova është e nderuar me vlerësimin e presidentit Trump dhe ekipit të tij që të përfshihet në mesin e anëtareve themeluese të këtij Bordi të kësaj organizate ndërkombëtare, që sipas presidentit Trump do të shndërrohet në organizatën më me peshë në nivel ndërkombëtar. Duke pasur parasysh që jemi anëtare themeluese me të drejta të plota dhe tani do të jemi edhe kontribuues, pasi të negociojmë marrëveshjen e participimit, besoj se kjo do t’i hapë rrugë Kosovës për fuqizimin e subjektivitetit të saj në demokraci. Në radhë të parë, fuqizon raportet me SHBA-të; në radhë të dytë, na fuqizon raportet edhe me vendet e tjera, përfshirë edhe shtete jo-njohëse, i jep zë Kosovës në një organizatë ndërkombëtare, pasi që Kosova është bllokuar në organizata të tjera. Është zhvillim pozitiv për vendin tonë. Takimi inaugurues shprehu për të ndjerë peshën e garancisë së fuqishme amerikane, siç e dëgjuat edhe vet presidenten Trump. Ai e tha në prezencë të të gjithëve që ishin aty dhe në prezencë të gjithë botës, se nëse kemi problem me Serbinë, të kontaktojmë direkt, sepse ai është garancia që paqja do të mirëmbahet në rajonin tonë. I jemi të gjithëve mirënjohëse për përkrahjen e jashtëzakonshme që i japin Kosovës sa herë kemi diskutime me ta. Përveç kësaj, edhe gjatë përgatitjes së Bordit kisha takime me përfaqësues të vendeve tjera dhe është pikërisht kjo që po na e jep Bordi i Paqes.
RTV21: Zonja Presidente, me çka u zotua Kosova që do të marrë pjesë? Degjuam se u zotua për çështje që lidhen me përfaqësimin ushtarak. Por me çka konkretisht u zotua Kosova në këtë Bord të Paqes?
Vjosa Osmani: Faleminderit për pyetjen. Sot zotimi ishte zotim politik. Dokumenti që kemi nënshkruar tregon interesimin e këtyre shteteve për të kontribuar në forcën stabilizuese ndërkombëtare. Por ta qartësoj: ky interesim nga Kosova është prezantuar zyrtarisht qysh në dhjetor të vitit që shkoi në takimin që është mbajtur në Doha, ku me pëlqimin tonë institucional dhe me pëlqimin tim si presidente, Komandanti i FSK-së e ka përfaqësuar Kosovën. Aty është kërkuar që të prezantohen të gjitha kapacitetet e shteteve ku mund të kontribuojnë. FSK-ja ka treguar se në cilat sektorë mund të participojë në fazën e parë dhe në fazën e dytë, kur situata është më e sigurt. Të gjitha këto më janë dërguar me shkrim nga ana e FSK-së në cilësinë time si presidente dhe Komandante Supreme, me vlerësimin e tyre që Kosova të përfshihet në këtë Bord. Me vlerësimin e tyre, kjo është një shans i jashtëzakonshëm për FSK-në, në radhë të parë për të qenë bashkë me aleatin tonë strategjik për këtë mision paqeje, dhe në radhë të dytë fuqizon FSK-në në synimin tonë drejt anëtarësimit në NATO. Sot është dhënë vetëm zotimi politik që tregon qëllimin tonë për t’u bashkuar, mirëpo procesualisht kjo shkon më tej. Pra, së pari, Forca Stabilizuese Ndërkombëtare me institucionet tona do të vlerësojë se çfarë mund të japë Kosova dhe në cilën fazë mund të kontribuojë. Çdo dërgim i forcave të FSK-së jashtë vendit kërkon ratifikim, përveç kur janë misione humanitare që nuk kërkojnë ratifikim. Pra, Kosova ka treguar gatishmëri për një gjë të tillë dhe tani vijojnë procedurat në një fazë më të avancuar. Me shpejtësi do të fillojnë negociatat mes institucioneve tona me forcën stabilizuese ndërkombëtare për këtë participim të FSK-së, bazuar në kapacitetet e FSK-së dhe vlerësimin që ka bërë vet FSK-ja në Doha. Tanë kemi edhe Parlamentin funksional dhe do e bëjmë më shpejt”.
RTV21: Çfarë ju tha presidenti Trump për Kosovën, për raportet me vendet tjera, posaçërisht me Serbinë?
Vjosa Osmani: Ju e dëgjuat edhe publikisht dhe natyrisht që ajo që kemi diskutuar ka qenë një rikonfirmim i një garancie amerikane. Ju e dëgjuat edhe vet vlerësimin e Trump për punën tonë. Ai është i informuar për punën që kemi bërë për mirëmbajtjen e paqes, si një president shumë i edukuar që synon të arrihet dhe të mirëmbahet paqja në rajonin tonë. Ju gjithashtu e dëgjuat se ai, nga ana e tij, ka dhënë garancinë që nëse kemi problem me Serbinë, mund ta kontaktojmë direkt. Ai ka kontribuar disa herë për paqen në vendin tonë bashkë me ekipin. Diskutimet tona kanë përfshirë këtë temë, por kemi pasur edhe diskutime të tjera pas kamerave me detaje me ekipin e tij. Kam kontakt thuajse të përditshëm me ta dhe jam falënderuese për këtë bashkëpunim. Presim që të punojmë ngushtë me SHBA-të edhe në të ardhmen dhe të dëshmojmë kontributin tonë, sepse jemi shtet me shumë eksperiencë në shtetndërtim dhe ndërtim të paqes dhe kemi çka të japim në këto tryeza paqeje”.
RTV21: Ishte fjalimi i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në takimin inaugurues ku u përmend edhe Gjykata Speciale. Kishit ju mundësi të diskutoni me kabinetin e Trump, por edhe me vet Trump për këtë çështje?
Vjosa Osmani: Po, e kemi pasur këtë mundësi, por për hir të procesit dhe mos-lëndimit, nuk dua të jap shumë detaje. Po, kemi pasur një diskutim shumë të rëndësishëm edhe me Trump, edhe me njerëz nga kabineti i tij lidhur me këtë temë dhe çdo temë që lidhet me popullin e Kosovës”.
RTV21: Keni takuar liderët në Kosovë, keni takuar edhe ata të opozitës dhe keni diskutuar për Bordin e Paqes. E keni bashkuar gjithë spektrin politik rreth kësaj nisme të Presidentit Trump?
Vjosa Osmani: I gjithë spektri politik në Kosovë, po flas për partitë shqiptare dhe partitë e komuniteteve jo shumicë, jo serbe, është përkrahës i fuqishëm i pjesëmarrjes së Kosovës dhe jo vetëm pjesëmarrjes, por edhe kontributit të Kosovës në Bordin e Paqes. Kjo ka qenë një vlerësim i jashtëzakonshëm dhe dua t’i falënderoj të gjithë për pjesëmarrjen e Kosovës, sepse çdo lider politik në Kosovë e di se rreshtimi drejt SHBA-ve është rruga drejt progresit dhe na fuqizon edhe për brenda integritetin territorial. Gjithë puna që e kemi bërë gjatë këtij viti me administratën Trump po betonohet edhe me vet garancitë që Trump po i jep, qofshin ato që i dha sot, qofshin ato që i dha në letrën e urimit për pavarësinë e Kosovës në fillim të urimit: “SHBA fuqishëm përkrahin sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.” Kjo në vetvete është një arritje jashtëzakonshme në raportet me SHBA-të dhe ka shumë hapësirë për bashkëpunim në ekonomi dhe mbrojtje, po shkon perfekt, dhe unë jam shpresë plot që kapituj të rinj rreth bashkëpunimit me SHBA-të po hapen dhe do të jenë kapituj pozitivë për të gjithë.
RTV21: Kishte vlerësime shumë të larta pozitive. Për ju personalisht, presidenti Trump, edhe sot edhe më parë, a e fuqizon rolin tuaj si presidente e Kosovës?
Vjosa Osmani: E fuqizon Republikën e Kosovës. Vlerësimi i presidentit amerikan Trump për mua si presidente është një vlerësim për Kosovën dhe popullin e saj dhe për këtë jam shumë mirënjohëse. Do të jemi edhe ne pranë SHBA-ve në misionin për paqe dhe stabilitet dhe me shumë zhvillime në botë. Natyrisht, ne do të jemi pranë Trump në qëllimet e tij që ka synim të ndihmojë vendet tjera. E thashë edhe një herë që rreshtimi me SHBA-të është rruga më e drejtë që asnjëherë nuk i ka dalë keq shtetit tonë si Kosovë dhe kombit tonë shqiptar.
RTV21: Presidente Vjosa Osmani, faleminderit që ishit mysafire në Click të RTV21 nga Washingtoni.
Vjosa Osmani: Faleminderit juve, punë të mbarë.
