Si e vlerësoni faktin që ju zgjoheni në mëngjes, shkoni edhe detektoni një problematikë, të themi një rrugë me gropa dhe pasdite zotëri Mexhiti shkon e asfalton atë rrugë. A ndiheni në dizavantazh? Ishte kjo pyetja me të cilën moderator i TV21 iu drejtua Bujar Osmanit, por që ky i fundit pati një përgjigje.
Osmani tha se kundërkandidati po tregon kulturën e funksionimit, që sipas tij, një muaj para zgjedhjeve po i keqpërdorin resurset shtetërore. Për Osmanin, është e papranueshme që një minister i cili nuk ka kompetenca, të promovojë projektet komunale. Ai tha se kufiri mes shtetit dhe partisë është humbur.
“A e dini si komentojnë njerëzit, thonë Bujari filloi të rregullojë Çairin ende pa u bë kryetar komune, po kur të bëhet kryetar komune? Njerëzit nuk kërkojnë ndryshimin e politikave. Kërkojnë ndryshimin e kulturës së funksionimit. E shifni cila është kultura e tyre e funksionimit? Katër vjet asgjë, pastaj një muaj para zgjedhjeve nxjerrim të gjitha resurset shtetërore me keqpërdorim total. Ku është kryetari aktual? Si mundet një ministër, i cili nuk ka kompetenca në komunë, të bën promovim të projekteve komunale? Jo, e dini që kanë hyrë, kanë shtruar parking në shkollë, në çerdhe pa e ditur drejtoresha e çerdhes dhe kryetari i komunës. Kam informacion sigurt se ata janë habitur kur kanë pasur se një ekip hyn në çerdhe për të bërë një parking. Këtu shteti ka humbur kuptimin. Këtu kufiri ndërmjet shtetit dhe partisë është humb krejtësisht. Ata mendojnë që do i mashtrojë njerëzit një muaj para zgjedhjeve duke bërë disa projekte. Unë mendoj që me këtë ata vetëm tregojnë se e kanë mundur gjatë gjithë kohës, paska pasur resurse, po ata nuk kanë punuar, se prioritetet nuk i kanë pasur të mira”, tha Osmani.