Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se të premten ka nxjerr dekret për shpërndarje të Kuvendit, meqë sipas saj, përfaqësuesit e vendit “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.

“Jam para jush sepse përfaqësuesit e popullit mbrëmë vendosën ta dërojnë vendin në zgjedhje. Kjo situatë ka qenë plotësisht e evitueshme. Është fatkeqësi e madhe për këtë shtet që ata nuk zgjodhën interesin e Republikës. Sot në përputhje me Kushtetutën kam nxjerrë dekretin për shpërndarje të Kuvendit. Në një Republikë Kushtetuese ka diçka që është mbipartiake, është Kushtetuta e vendit”, tha Osmani.

“Nëpërmjet këtij dekreti po kryej detyrimin kushtetues i cili është i përcaktuar qartë…Është fatkeqësi e madhe që ata [deputetët] nuk zgjodhën interesin e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Sipas saj përpjekjet e dështuara të një nate më parë për ta zgjedhur presidentin në Kuvend, nuk ishin as rastësore, as të pamendura.

“Përkundrazi, shumë mirë të kalkuluara dhe ideuara, për fat të keq”, ka shtuar Osmani.

Ajo i ka bërë këto deklarata pak orë pas përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri.

Procesi ka dështuar në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit. Kandidatë për president ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy të propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Pas dështimit të procesit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese t’i pezullojë përkohësisht afatet kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.