Ndonëse Ndërmarrja “Higjiena Komunale” nuk i grumbullon mbeturinat në terren, banorëve të tre fshatrave të Tetovës – Jedoarcë, Sotole dhe Otunjë – u dërgohen rregullisht fatura nga kjo ndërmarrje. Në këto fshatra jetojnë shumë pak banorë, pasi shumica prej tyre janë shpërngulur në qytet. Megjithatë, ata detyrohen të paguajnë për shërbime që nuk i marrin, vetëm sepse zotërojnë prona në këto vendbanime. Banorët thonë se deri më sot askush nuk është interesuar të diskutojë këtë problem me ta. Ndërkohë, shumë prej tyre kanë akumuluar borxhe, dhe një pjesë janë dërguar te noteri apo përmbaruesi për mosshlyerje të faturave.

“As kontejner nuk ka, as ka ardhur dikush këtu të mbledh. Këto fshatra Jeduarce, Otunje dhe Sotole banorë këtu janë vetëm për fundjavë. Gjatë javës vijnë një herë dy apo tre, dhe të gjithë këta paguajnë aty ku jetojnë. Për mbeturinat askush nuk ka ardhur të na tregoj se mbeturina duhet të paguajmë , as të na pyesin si të organizohet të vendoset kontejner. Unë pash një dokument ku thuhet se këshilltarët kanë sjell një vendim jo vetëm këto fshatra, disa fshatra të paguajnë aq. Kush janë këshilltarët të tregojnë që të paguajmë diçka që nuk na shërbehet”, tha Snezhana Stojanovska, banore e Jeduarcës.

“Faturat na vijnë për mbeturina, a mbeturinat nuk na mbledhin. Ne mbeturinat i dërgojmë në Tetovë. Atje jetojmë, ndërsa këtu jemi vetëm për vikend dhe atje paguajmë çfarë duhet edhe për mbeturina edhe për ujë. Dhe nuk na nevojë që të paguajmë edhe këtu edhe atje. A fatura na vjen edhe këtu edhe në Tetovë edhe unë mendoj se nuk ka nevojë”, tha Vasak Bojaçeska, banore e Sotoles

“Në Setole vjen fatura jo të gjithëve. Vetëm atyre që i kanë të legalizuar shtëpitë. Unë jam një nga ata që e kam legalizuar dhe më vjen llogaria edhe pse nuk shohë askund kosh mbeturinash, as të vijë dikush të interesohet. Faturat vijnë edhe i dëgjoj i japin në gjykatë, përmbarues edhe nuk kemi asnjë ndihmë nga ata, ne mbeturinat i dërgojmë në Tetovë”, tha Lupçe Trifunovski, banor i Sotoles.

“Konkretisht në Jeduarcë nuk ka as kosh as ndonjë qese që të mund ndërmarrja komunale në mënyrë të organizuar ta marr dhe ta dërgoj atje ku duhet. Ndërsa ne pas përfundimit të vikendit në mënyrë individuale i mbledhim mbeturinat dhe i dërgojmë në qytet dhe atje i hedhim aty edhe ku jetojmë”, Gjoko Serafimovski, Jeduarcë.

Juristi Gjoko Serafimosvki thotë se të gjithë banorët e thirrin për konsultim. Sipas tij palët duhet të kenë marrëveshje individuale me kompaninë që kryen shërbime.

“Unë të gjithëve u kam thënë të nënshkruajnë ankesë që ta dorëzojnë në notar që e njëjta të shkojë në gjykatë dhe të hapet procedurë për atë. Dhënia e shërbimeve në bazë të ligjit për dhënien e shërbimeve është marrëveshje formale. Patjetër të kyçen dy palët ku pajtohen që për një shërbim të dhënë pala tjetër të bëj pagesë. Në këto tre fshatra por edhe në Tetovë, ndërmarrja komunale nuk ka bërë marrëveshje për dhënien e shërbimit. Kjo është e njëjtë si të paguani internet a internet mos kesh”, tha Gjoko Serafimovski, Joduarcë.

Nga kompania Saubermacher thonë se ata kanë vendosur kontejner në fshatin Xhepçisht dhe se për këtë kanë një dakordësi me banorët.

“Kompania jonë ka njoftuar të gjithë banorët , dhe me disa banorë janë mbajtur mbledhje individuale dhe jemi dakorduar se mbledhja e mbeturinave nga ky territor bëhet me kontejnerët me kapacitet 1.1 m3 të vendosur në pjesën e poshtme të rrugës për fshatin Xhepcisht . Të gjithë banorët hedhjen e mbeturinave e kryejnë në këtë lokacion dhe vërtetim për këtë janë edhe sasitë e mbledhura të mbeturinave nga lokacionet respektive”, thanë nga Saubermacher.

Në fillim të vitit 2024, Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje me kompaninë Saubermacher, duke ndryshuar edhe metodologjinë e pagesës. Nga atëherë disa qytetarë u dërguan te noteri për mosshlyerje të faturave, ndërkohë që vetë qytetarët ankoheshin se nuk kishin pranuar fare fatura.