Tetori ka sjellë një rritje të ndjeshme të pagesave për kompensimin e lehonisë, të cilat kanë arritur në mbi 467 milionë denarë, duke tejkaluar shumën mujore të paguar gjatë katër muajve të fundit. Në total, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore gjatë kësaj periudhe ka paguar më shumë se 2,35 miliardë denarë për pushimet mjekësore dhe ato të lehonisë.
Vetëm në tetor të vitit 2026, për kompensimin e pagës për shkak të paaftësisë së përkohshme për punë dhe pushimit të lehonisë janë paguar 621.383.663 denarë.
Nga kjo shumë, 467.074.428 denarë janë ndarë për kompensimin e lehonisë, ndërsa 154.309.235 denarë janë paguar për pushimet mjekësore.
Sipas të dhënave të Fondit, pagesa e kompensimeve për lehoninë në tetor është më e larta në periudhën nga korriku deri në tetor, me një rritje prej mbi 25 për qind krahasuar me muajin shtator.
Gjatë periudhës katërmujore, nga korriku deri në tetor, për këto dy kategori janë paguar mbi 2,35 miliardë denarë, prej të cilave më shumë se 1,66 miliardë denarë janë për kompensimin e lehonisë.
Nga Fondi theksojnë se prioritet mbetet realizimi i rregullt dhe me kohë i të drejtave ligjore të të siguruarve, menaxhimi i përgjegjshëm i mjeteve financiare dhe rritja e efikasitetit në shqyrtimin e kërkesave.
Aty njoftojnë se edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojnë aktivitetet për ruajtjen e një dinamike të qëndrueshme të pagesave, me qëllim që kompensimet të paguhen me kohë dhe kjo të bëhet praktikë e rregullt.
