Çdo ditë, palestinezët në Gaza përballen me një betejë vdekjeprurëse me shpresën se do të marrin ushqim. Ushtarët izraelitë hapin zjarr mbi turmat që kalojnë zonat ushtarake për të mbërritur te ndihmat, ndërsa grabitës të armatosur me thika presin për t’i sulmuar ata që ia dalin. Palestinezët thonë se mungesa e rendit po rritet, ndërsa ata detyrohen të hyjnë në një garë për jetë a vdekje, për të ushqyer familjet e tyre. Më “fatlumët” arrijnë të sigurojnë ndonjë pako thjerrëza apo një thes miell. Shumë të tjerë kthehen me duar bosh dhe detyrohen ta provojnë sërish të nesërmen.
“Del nëpër rrugë për të arritur përpara të tjerëve, në pikën që unë e quaj pikë vdekjeje. Të gjithë e quajmë kështu. Teni është përpara nesh, mitralozi përpara, droni lart mbi ne, ndërsa në tokë ka ushtarë me snajperë. Qëllohet mbi këdo që lëviz para kohe. Në momentin që tanku tërhiqet, ne fillojmë të vrapojmë – një distancë e gjatë, rreth 600 metra. Vrapojmë nga vendi ku jemi për të marrë ndihmën”, theksoi Omar Al-Hobi, palestinez i shpërngulur.
Dëshmitarët palestinezë thonë se ushtarët qëllojnë për të penguar turmat të kalojnë në një pikë të caktuar para hapjes së qendrave, ose për shkak se njerëzit dalin nga rruga e përcaktuar nga ushtria. Ata përshkruajnë breshëri të rëndë nga tanket, snajperët dhe dronët.
“Nuk arrita të marr asgjë, sepse dërgojnë gjëra të thjeshta dhe i grumbullojnë në një vend të ngushtë, dhe të gjithë njerëzit shtypen mbi njëri-tjetrin, vriten mes tyre, vdesin dhe përleshen me thika. Aty ka shumë banditë. Më sulmoi dikush me thikë dhe u ktheva mbrapsht. Po ashtu, amerikanët hedhin gaz djegës që të verbon sytë – nuk sheh më asgjë. Kjo nuk është thjesht vuajtje – është padrejtësi”, tha Xhamil Atili, palestinez i shpërngulur.
Izraeli filloi të lejojë futjen e ushqimit në Gaza muajin e kaluar, pasi për 10 javë kishte ndërprerë plotësisht dërgesat e ndihmës humanitare. Kombet e Bashkuara thonë se kjo nuk është e mjaftueshme për të ndalur urinë e palestinezëve në Rripin e Gazës. Mijëra njerëz janë të detyruar të ecin kilometra të tëra për të arritur te qendrat e ushqimit – tri prej tyre ndodhen në skajin jugor jashtë qytetit Rafah. Palestinezët thonë se rreziku fillon sapo turmat hyjnë në zonën ushtarake izraelite që rrethon Rafahun.
