Papa Leoni XIV, ka emëruar Ronald Hicks, 58 vjeç, ipeshkëv i Joliet, Illinois, si arqipeshkëv i ri i New York, një nga arqidioqezat më të mëdha në SHBA. Hicks do të zëvendësojë Kardinalin Timothy Dolan, i cili tërhiqet pas 16 vitesh shërbimi.

Hicks ka kaluar pjesën e fëmijërisë pranë vendlindjes së Papa Leos në Chicago dhe ka shërbyer si misionar pesë vjet në El Salvador, ku ka drejtuar një jetimore të Kishës për fëmijë jetimë. Ai ka mbështetur gjithashtu mesazhet e Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të SHBA që kritikuan politikat e administratës Trump mbi imigracionin.

Në konferencën e tij të parë për shtyp si arqipeshkëv i zgjedhur, Hicks tha: Si Kishë, nuk mund të pushojmë kurrë për të parandaluar abuzimet, për të mbrojtur fëmijët dhe për të kujdesur për mbijetuesit. Shpresoj që puna jonë të ndihmojë në përgjegjësi, transparencë dhe shërim.

Hicks do të drejtojë rreth 2.5 milionë katolikë në Manhattan, Bronx dhe Staten Island. Ai është rritur në South Holland, Illinois, ka marrë diploma në filozofi, teologji dhe shërbim kishtar, dhe u shugurua prift në vitin 1994 për arqidioqezën e Chicago-s.

Kardinali Dolan e përshkroi pasardhësin e tij si “një dhuratë të hershme për Krishtlindje për Arqidioqezën”, ndërsa Hicks shtoi:

“E pranoj këtë emërim me përulësi dhe zemër të hapur. Ju kërkoj mbështetjen dhe lutjet tuaja.”

Ky emërim shihet gjithashtu si një sinjal se Kisha Katolike në SHBA do të vazhdojë qëndrimin kritik ndaj administratës Trump në çështjet e imigracionit.