Arben Fetai, në emisionin Click Plus në TV21, përmendi edhe parimet bazë mbi të cilat është formuar VLEN-i dhe të cilat, sipas tij, duhet të ndiqen edhe më tej. Fetai mes tjerash tha se VLEN-i është ndërtuar mbi parimin e barazisë së katër subjekteve, ku secili ka nga një çerek të përfaqësimit – formulë që konsiderohet çelësi i suksesit në zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Po ashtu, si parime themelore përmenden edhe konsensualiteti dhe kolegjialiteti në vendimmarrje.
“Çka për mua është e rëndësishme është se, para se të diskutojmë çështjen se kush do të jetë kryetar, në çfarë formati dhe në çfarë mënyre do të zgjidhet i pari i VLEN-it, mua më intereson t’i dakordojmë parimet. Siç e dini, parimet bazë të VLEN-it janë dakorduar me marrëveshjen e themelimit të VLEN-it para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 dhe aty janë disa parime: e para është barabartësia e katër subjekteve. Siç e dini, hisja brenda VLEN-it ndahet në katër çerekë dhe kjo, për mua, është parimi bazë i VLEN-it. Kjo është formula e suksesit të VLEN-it si në zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe në ato lokale, sepse katër subjekte ishin bashkuar drejt një qëllimi të përbashkët, bazuar në parime të barazisë. Por janë edhe disa parime të tjera, siç është edhe konsensualiteti dhe kolegjialiteti”, deklaroi në emisionin Click Plus në TV21, Arben Fetai.
