Para misionit të EULEX-it në Kosovë platforma “Liria ka emër” i shpalli të pafajshëm në emër të popullit, krerët e UÇK-së të cilët në Hagë po presin vendimin e Gjykatës. Flaka Fazlija tha se në Hagë nuk janë vetëm katër emra, por pas tyre qëndron historia e një populli të përndjekur e të masakruar.
“Ne nuk presim vetëm një aktgjykim, presim përgjigjen e një pyetje shumë të madhe. A do të triumfojë drejtësia apo padrejtësia do të marrë vulën e drejtësisë. Në Hagë nuk janë vetëm katër emra. Pas tyre është një histori e një populli të përndjekur, e të masakruar. Nënat që kujtojnë bijtë, fëmijët që janë rritur pa baballarë. Këtu para misionit të EULEX-it i drejtohemi institucioneve ndërkombëtare, mos harroni se mbi cilën sakrificë është ndërtuar kjo republikë, mos barazoni çlirimtarin me pushtuesin. Dhe mos prisni se Kosova do të heshtë.” – Flaka Fazlija, “Liria ka emër”.
Gjykata Speciale do të shpallë verdiktin final më 16 shtator për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Procesi gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së, ka hyrë në fazën përfundimtare, pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe argumenteve të palëve. Vendimi i trupit gjykues pritet të jetë një nga zhvillimet më të rëndësishme që nga fillimi i procesit në Hagë. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë nga nëntori i vitit 2020. /Alsat.mk
The post Para vendimit në Hagë, “Liria ka Emër” me mesazh për ish-krerët e UÇK-së appeared first on Alsat.
