Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka miratuar urdhrin për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 29-vjeçarit H.S. nga Kumanova, i cili sipas Prokurorisë, dyshohet se së bashku me persona të tjerë të panjohur kanë fshehur një sasi të madhe të armëve të zjarrit dhe municionit në një kanal pranë rrugës lokale në mes fshatit Orllancë dhe Nikushtak. Ashtu siç raportoi TV21, nga Prokuroria thonë se i njëjti u arrestua më 29 dhjetor në pikën kufitare “Bllacë”, gjatë përpjekjes për të dalë nga shteti.
Në lidhje me: Kërkohej nga policia, kapet në “Bllacë” i riu nga Kumanova
“Gjithashtu, gjurmët materiale të siguruara tregojnë se ai ka pasur bashkëpunëtorë, kështu që i dyshuari mund të ndikojë tek ata nëse mbrohet nga liria. Gjykata e ka pranuar këtë arsyetim të Prokurorisë dhe i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit prej 30 ditësh”, shtojnë nga Prokuroria.
Armët dhe municioni u gjetën më 18 dhjetor, ndërsa sipas informacioneve të MBP-së, janë gjetur:
Në lidhje me: Policia njofton se çfarë u gjet gjatë bastisjeve në rrugën nga fshati Orllancë drejt Nikushtakut, në rajonin e Haraçinës
“U gjetën nëntë pushka automatike, një mitralez dhe sasi e madhe e municionit. Pas masave adekuate të ndërmarra dhe aktiviteteve si dhe pas ekspertizave të kryera në Departamentin e Hetimeve të Mjekësisë Ligjore, është konfirmuar se armët janë të H.S.(29) nga Kumanova”, njoftoi MPB.
TV21 që më 29 dhjetor raportoi se i dyshuari i arrestuar në pikën kufitare “Bllacë”, është djalë i një afaristi të njohur nga Kumanova.

