Janë arrestuar katër persona nga rajoni i Strugës dhe Gostivarit, për të cilët ekzistojnë dyshime se janë të përfshirë në organizatë terroriste. I dyshuari i parë, një banor 21 vjeç nga Gostivari, në fillim të vitit ka formuar qeli terroriste në bazë të matricës ideologjike të organizatës terroriste ISIS. Ai në mënyrë aktive ka koordinuar aktivitetet me qëllim të realizimit të sulmeve terroriste ndaj civilëve – “qëllime të buta” dhe objekteve publike.

I dyshuari ka krijuar grupe në rrjetin social Telegram, ku ka publikuar material propagandues të ISIS-it, ka rekrutuar anëtarë të ri dhe ka ndarë udhëzime për përpunimin e mjeteve të improvizuara shpërthyese. Gjithashtu është munduar që të blejë armë dhe ka inkurajuar persona të tjerë për të kryer sulme në Europë. Të gjithëve u është shqiptuar masë paraburgimi.