Gazetar: Zekirija Haxhiu

Paralajmërimi për devijimin e trajektores së korridorit 8, lënia e Strugës jashtë këtij projekti vazhdon të shkaktojë debate të ashpra. Për BDI-në opozitare qëllimi është politik ndërsa arsyetimi me UNESKO-n është i dobët. Integristët kërkojnë që nëse ka vërejtje nga Organizata Botërore të njëjtat të bëhen publike.

“Kjo nuk është anulim i vetëm një rruge, është anulim i një perspektive zhvillimi, i një korridori strategjik dhe i një interesi të madh shtetëror. Arsyetimi se kjo po bëhet për shkak të UNESCO-s është një justifikim i dobët për ata që duan të gjejnë arsye për të mos bërë punë. Kur ka vullnet politik gjendet zgjidhje, kur nuk ka vullnet politik, gjenden arsye”, deklaroi Faton Pollozhani – BDI.

Nga VLEN garantojnë se korridori 8 me patjetër do të kalojë nga Struga por arsyetohen se kur është bërë projekti, nuk është kërkuar mendim nga UNESCO. Projekti është me rëndësi strategjike dhe nuk rrezikohet në asnjë moment.

“Nuk do të ndryshon në asnjë moment trajektorja. Mund të ndryshon zgjidhja teknike nga pjesa ku ka qenë sot dhe mund të lëvizë konform kërkesave të UNESCO-s nëse në ato pjesë ku kanë ofruar të jetë zgjidhja konkrete, projekti konkret, ka ndonjë problem me trashëgiminë e UNESCO-s e cila është e mbrojtur në këtë rast. Pra Struga në asnjë moment nuk do të jetë e anashkaluar nga korridori 8 dhe në asnjë moment korridori 8 nuk do të rrezikohet të realizohet”, tha Bilall Kasami – VLEN.

Kryeministri Mickoski tha se segmenti Trebenisht – Qafë Thanë nuk do të ngelet në plan si projekt fillestar por siguroi se përsëri do të ketë komunikacion të sigurt në këtë zonë./ Alsat.mk.

The post Paralajmërimi i Mickoskit për anashkalimin e Strugës nga korridori 8 ka nxitur reagime të partive politike appeared first on Alsat.