Gazetar: Zekirija Haxhiu
Parlamenti Evropian votoi masë të re për migracionin me të cilën synohet lehtësimi i deportimit të migrantëve pa dokumente dhe krijimin e të ashtuquajturave “return hubs” apo qendra kthimi jashtë BE-së. Qëllimi i Parlamentit Evropian është të dërgojnë migrantët jo vetëm në vendin e origjinës por edhe në vende të treta si për shembull në Afrikë ku do të krijoheshin kampe migrantësh.
Nëse një person hyn pa dokumente ose i refuzohet azili merr urdhër për largim nga BE-ja por problemi qëndron se vetëm 20% prej tyre realisht largohen. Të tjerët “zhduken”, nuk bashkëpunojnë ose nuk pranohen nga vendi i origjinës. Me planin e ri, në qendër ndalimi migrantët mund të mbahen më së shumti deri në dy vjet ndërsa nëse refuzojnë të largohen, mund të marrin ndalim për hyrje për disa vite apo për gjithë jetën. Arsyet kryesore të BE-së janë se po rritet migracioni i parregullt dhe sistemi aktual nuk funksionon dhe aq mirë.
Masa u miratua me 389 vota pro, 206 kundër dhe 32 abstenime. Partitë e djathta bashkëpunuan me grupet e ekstremit të djathtë për të kaluar vendimin, ndërsa e majta dhe qendra votuan kundër.
Disa vende, përfshirë Greqinë, Gjermaninë, Holandën, Austrinë dhe Danimarkën, kanë nisur tashmë negociata me shtete, kryesisht në Afrikë, për të pritur këto qendra për migrantët që u është refuzuar azili.
Partitë e ekstremit të djathtë në Evropë kanë lavdëruar politikat e deportimit të presidentit amerikan Donald Trump, duke kërkuar që BE të ndjekë një qasje të ngjashme. Partia belge Vlaams Belang dhe partia gjermane AfD kanë propozuar edhe krijimin e njësive policore për identifikimin dhe deportimin e migrantëve.
Eurodeputeti Charlie Weimers e cilësoi votimin si fillimin e një epoke të re në politikën migratore të BE-së, duke deklaruar se “epoka e deportimeve ka filluar”.
Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë reaguar ashpër ndaj vendimit. Sipas tyre, migrantët po përballen me dhunë dhe kthime të paligjshme në kufijtë e BE-së, ndërsa mbrojtjet ligjore po dobësohen.
Marta Welander nga Komiteti Ndërkombëtar për Shpëtim e cilësoi votimin si “një prapakthim historik për të drejtat e refugjatëve”. Ajo paralajmëroi se kjo politikë mund të krijojë një sistem më ndëshkues për azilin dhe migracionin, i fokusuar në frenimin, ndalimin dhe deportimin e personave që kërkojnë siguri, në vend të mbrojtjes së jetës së tyre./ Alsat.mk.
The post Parlamentin Evropian miratoi shtrëngimin e politikave të migracionit appeared first on Alsat.
