Derisa po rrjedh java e tretë e bojkotit të mësimit në shkollën e disperzuar fillore “Rilindja” të Vaksincës, komuna e Likovës, Inspektorati i Arsimit ka dalë me një aktvendim pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme. Pa dhënë hollësi se çka, kumtuan se kanë konstatuar disa parregullsi në shkollën e disperzuar, që janë evidentuar në procesverbal.

“U është urdhëruar që në afat prej 8 ditësh t’i mënjanojnë parregullsitë e konstatuara dhe të ndërmarrin masa që rregullojnë veprimtarinë edukativo-arsimore dhe sjelljen profesionale të kuadrit mësimor. Si dhe të ndërmarrë masa përkatëse ligjore lidhur me veprimin e një mësimdhënëse, për të cilën është konstatuar se nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat e Ligjit për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionalë në shkollat fillore dhe të mesme dhe me kodin etik të përcaktuar”, thotë Inspektorati Shtetëror i Arsimit

Pas skadimit të afatit 8 ditor, drejtoria është e obliguar më së voni brenda tre ditësh, ta njoftojë inspektorin për aktivitetet e ndërmarra dhe për shkallën e realizimit të masave të shqiptuara.

Derisa të ezaurohen afatet ligjore nga drejtoria kanë propozuar që nxënësit t’i kthehen mësimit, pa lëndën e gjuhës angleze, por prindërit këmbëngulin që bojkoti të jetë i përgjithshëm.

Drejtori Idriz Sulejmani tha se kanë urdhëruar për një ekzaminim të ri mjekësor në Institutin e punës në Shkup, i cili do të jetë vendimtarë për kthimin apo largimin e arsimtares nga mësimi.

“Kemi urdhëruar një ekzaminim të detyrueshëm mjekësor me komision të jashtëzakonshëm shëndetësor për të shqyrtuar aftësinë e saj për kryerjen e detyrave të punës, në institucionin kompetent shëndetësor në QSHP ‘Instituti i mjekësisë së punës’ në Çair – Shkup. Për shkak të largimit nga vendi i punës, gjegjësisht ikjes më 14.10.2025, në bazë të Nenit 19, Paragrafi 18, të Ligjit për mësuesit në shkollat fillore, me dyshimin se shëndeti i saj mendor është i dëmtuar për shkak të sëmundjes ose rrethanave të tjera, në të cilat shëndeti ose jeta e nxënësve dhe punonjësve të tjerë mund të rrezikohet gjatë kryerjes së detyrave të punës”, tha Idriz Sulejmani.

Drejtoria e shkollës në bazë të procesverbalit të datës 02.02.2026 të Inspektoratit të Arsimit, e obligon arsimtaren S.S. për ekzaminimi mjekësor sistematik dhe në rast të refuzimit të këtij urdhri, nga drejtoria thonë se do të ndërpritet automatikisht punësimi i saj, sipas Paragrafit 20 të atij ligji. Komisioni pastaj raporton drejtorinë për rezultatet e ekzaminimit mjekësor. Por, këto procedura burokratike kanë lënë pa mësim rreth 100 filloristë për të tretën javë me radhë.