Derisa po hapet procesi gjyqësor për Koçanin, janë bërë 3 vjet e gjysmë nga zjarri në Spitalin Modular të Tetovës, që hetimet ende nuk kanë përfunduar. Atje 14 persona humbën jetë. Procesi gjyqësor për këtë rast po zhvillohet vetëm për mungesën e pajisjeve kundër zjarrit. Pas disa anulimeve, gjyqi ka rifilluar me gjykatës të ri, Rexhep Musa. Prokuroria ka prezantuar aktakuzën ndaj ish-drejtorëve të spitalit dhe subjektit ekonomik, ndërsa pala mbrojtëse ka kundërshtuar legjitimitetin e disa dëshmive. Rigjykimi u kërkua nga Gjykata e Apelit në Gostivar për shkak të mangësive në vendimin e parë, ku dy ish-drejtorët u dënuan me burg me kusht dhe spitali me një gjobë prej një milion denarësh. Seanca e radhës do të mbahet më 3 prill.