Callum Turner ka folur hapur për marrëdhënien e tij me Dua Lipa, duke e cilësuar atë si një burim të rëndësishëm frymëzimi si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale.

Në një intervistë për The Hollywood Reporter, aktori britanik u shpreh se një nga gjërat më të rëndësishme në një marrëdhënie është të frymëzohesh nga partneri.

“Dëshiron të frymëzohesh nga personi me të cilin je”, tha Turner, duke treguar admirimin e tij për këngëtaren.

Çifti, i cili kurorëzoi dashurinë me martesë në fund të muajit maj, fillimisht në një ceremoni civile në Londër dhe më pas me një festë të madhe në Siçili, vazhdon të ruajë një lidhje të fortë pavarësisht angazhimeve të shumta profesionale.

“Sigurohemi që të jemi bashkë sa më shumë që të jetë e mundur”, u shpreh aktori 36-vjeçar.

Turner zbuloi gjithashtu se ai dhe Dua ndajnë një pasion të përbashkët për kinemanë, artin dhe krijimtarinë. Së fundmi ata kanë kaluar kohë duke parë filma së bashku, ndërsa aktori tregoi me humor se i pëlqen t’i prezantojë këngëtares klasikët e kinemasë.

“Unë dhe Dua kemi një botë artistike të përbashkët që e duam, e eksplorojmë dhe e ndajmë me njëri-tjetrin”, tha ai.

Romanca e çiftit nisi në fillim të vitit 2024 dhe që prej atëherë ata janë kthyer në një nga çiftet më të komentuara të showbiz-it ndërkombëtar. Sipas raportimeve, pas muajve të kaluar në Paris dhe Londër, dyshja pritet të qëndrojë kryesisht në SHBA, ku Turner po punon në projekte të reja filmike, ndërsa Dua Lipa vazhdon suksesin e saj në skenën muzikore globale.