Pas ndalesës ndaj Italisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka marrë vendim për të ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre edhe nga Hungaria, pas përhapjes së sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve) në këtë shtet.

Sipas njoftimit të AUV-it të mërkurën, duke u bazuar në raportin e fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të datës 4 nëntor 2025, sëmundja e llojit HPAI–H5N1, me patogjenitet të lartë, është konfirmuar në fermat komerciale dhe shpezët e egra në zonat Jasz, Nagykun dhe Szolnok të Hungarisë.

Në bazë të ligjeve në fuqi dhe masave parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Kosovë, AUV-i ka vendosur të ndalojë importin e shpezëve të gjalla dhe të produkteve të tyre që kanë origjinën nga zonat e infektuara të shtetit të Hungarisë, “përveç rasteve kur ato vijnë nga ferma të paprekura, të cilat ndodhen të paktën 50 kilometra larg zonave të prekura”.

Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të ri të situatës nga autoritetet ndërkombëtare dhe AUV-ja.

Institucioni thekson se po vazhdon monitorimin e situatës epidemiologjike dhe bashkëpunimin me agjencitë vendore e ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e virusit.