Qeveria bullgare ka njoftuar se do të tërheqë përgjithmonë një propozim të diskutueshëm buxheti pas një nate protestash në shkallë të gjerë në Sofje dhe në të gjithë vendin, shkruan euronews.com.
Qeveria bullgare njoftoi tërheqjen e planit të saj të diskutueshëm buxhetor pasi protestat mbarëkombëtare tërhoqën dhjetëra mijëra njerëz.
Këto ishin demonstratat më të mëdha që vendi ka parë në dekada.
Rreth 50 000 njerëz morën pjesë në një demonstratë në Sofje të hënën në mbrëmje, ndërsa organizatorët thanë se 50 000 të tjerë iu bashkuan demonstratave në qytete të tjera të mëdha.
Propozimi i buxhetit përfshinte një rritje të ndjeshme të taksave dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe do t’i kishte goditur më rëndë punëtorët e zakonshëm.

Lajmi vjen ndërsa Bullgaria hyn në fazat e fundit të përgatitjeve për t’u bashkuar me Eurozonën në vitin 2026.
Kalimi nga leva në euro është planifikuar për 1 janar.
Protesta u organizua nga koalicioni kryesor i opozitës së vendit, partitë “Ne Vazhdojmë Ndryshojmë” dhe “Bullgaria Demokratike”, dhe erdhi në përgjigje të asaj që ata e quajtën angazhime të dështuara dhe premtime boshe nga qeveria.
Këshilli i Ministrave propozon që Asambleja Kombëtare të miratojë një vendim për tërheqjen e Projektligjit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2026, raportoi të martën Shërbimi Informativ Qeveritar. Vendimi u mor në një mbledhje në mungesë të Qeverisë.
I njëjti vendim tërheq gjithashtu Projektligjin e Fondit Kombëtar të Sigurimeve Shëndetësore dhe Projektligjin e Buxhetit të Sigurimeve Shoqërore Publike.
Pas një vendimi nga Parlamenti, Kabineti do të nisë një procedurë të re buxhetore.
