Gazetare: Melihate Rustemi
Urti, Onea, Krenari, Jumna dhe Besniku janë vetëm disa nga fëmijët që sot për herë të parë u ulën në bankat e shkollor për të nisur një rrugëtim të gjatë të dijes. Të ulur njëri pranë tjetrit dëgjonin me vëmendje çdo fjalë të mësueses që tashmë për to është edhe nëna e dytë.
“Erdha sot për herë të parë dhe jam I gëzuar. Te cila mësuese ke filluar klasën e parë? Te mësuesja Hatixhe. Çka ju dha mësuesja? Lëpirëse edhe lapsa”, u shpreh një nxënës.
“Jam gëzuar shumë që e kam filluar klasën e parë. Çantën ma dhanë në shkollë…”, tha një nxënëse.
“Shumë u gëzova për fillimin e klasës së parë? A takove ndonjë shok ose shoqe? Po. Në klasë kam shumë shoqe. I di të gjitha shkronjat dhe numrat”, theksoi një nxënës.
“Në klasë kam shumë shok e shoqe”, tha një tjetër nxënës.
“Shumë u gëzova që fillova shkollën. Mësuesja ma dha një fletë me emrin tim edhe një laps. Unë do të mësoj shumë dhe do të marr shumë pesa”, u shpreh një nxënëse.
Me emocione të veçanta përballeshin edhe nxënësit e klasës së gjashtë që tashmë kalojnë në ciklin e lartë fillor.
“Tash jam klasa e gjashtë, është pak më vështirë, kemi më shumë arsimtarë. U takuat me kujdestarin? Po. Çfarë ju këshilloi dhe ju porositi? Ai ishte shumë mirë, na këshilloi të jemi të mirë gjatë gjithë vitit, të jemi të urtë, të mësojmë më shumë. Gjatë verës me çka u more, lexove diçka? Po, lexova disa libra”, deklaroi një tjetër nxënëse.
Duke u uruar nxënësve dhe mësimdhënësve fillim të mbarë, mësuesja Hatixhe Topalli tha se prej nesër fillojnë me orar të rregullt dhe shpërndarje të librave.
“Fëmijë të vegjël, si zogjtë, sytë i kanë te mësuesja. Unë do të mundohem ti përkrahë, të bashkëpunoj, ti motivoj për aftësitë për ti zhvilluar kreativitetet e tyre. Për nxënësit e klasës së parë janë të siguruar librat, do ti ndajmë…me libra jemi gati, me planprogramet jemi gati edhe startojmë prej nesër që të arrijmë suksese sa më tepër”, deklaroi Hatixhe Topalli, mësuese.
Procesin mësimor e nisën 245 mijë nxënës. Prej tyre, 17.250 fëmijë në klasë të parë ndërsa 17.230 në vitin e parë në shkolla të mesme. /Alsat.mk
The post Pas pushimit tremujor, nxënësit u rikthyen në bankat shkollore appeared first on Alsat.