Pas dorëheqjes të Sekretarit Gjeneral të ASH-së, Taravari, Blerant Ramdani, jep dorëheqje edhe Sekretari Organizativ Gadaf Uzairi, përcjell TV21. Informacionin për dorëheqje e bëri të ditur Uzairi në rrjetin social Facebook, i cili ka falënderuar të gjithë bashkëudhëtarët dhe aktivistët e ASH-së.

Statusi i plotë i Gadaf Uzairi

“Sot ndihem i detyruar te flas për nje moment vendimtar dhe emocional në jetën time.

Me përgjegjësi dhe respekt për çdo hap që kam bërë, dua ta ndaj me ju qëndrimin tim, të cilin e shpreha në Kuvendin e Aleanca për Shqiptarët. Gjatë gjithë rrugëtimit tim, gjithmonë jam udhëhequr nga ideali dhe bindja se çdo veprim dhe vendim duhet të shërbejë për kauzën dhe për mirëqenien e popullit tonë. Ky vendim shënon një pikë reflektimi dhe mirënjohjeje për rrugëtimin tonë së bashku.

Aleanca për Shqiptarët lindi si një nevojë e kohës, nga idealistë dhe njerëz që besonin se shqiptarët nuk ishin të përfaqësuar denjësisht. Ajo u ngrit në kohë të vështira, me guxim dhe vendosmëri, dhe u bë shtëpi e shpresës për ata që besuan në ndryshim dhe drejtësi.

Shfrytëzoj këtë rast për të përshëndetur me respekt të gjithë bashkëudhëtarët e mi dhe ata që ngritën këtë lëvizje, duke i dhënë shpirt dhe energji çdo ditë. Në të njëjtën kohë, me sinqeritet, kërkoj falje për çdo gabim apo dhimbje që mund të kem shkaktuar gjatë rrugëtimit tim në Aleancë.

Një falënderim i veçantë shkon për mikun dhe shokun tim, Arben Taravari. Edhe pse shpesh nuk kemi qenë dakord për vendime të caktuara, besimi dhe respekti reciprok nuk ka u luhatur kurrë.

Dua t’u drejtohem veçanërisht aktivistëve dhe simpatizantëve,ju falënderoj nga zemra për mbështetjen, për përkushtimin dhe për çdo hap që kemi bërë së bashku. Rruga ime në Aleancë përfundon këtu, por shpirti dhe zemra ime do të mbeten gjithmonë pjesë e kësaj lëvizjeje, me respekt dhe mirënjohje për gjithçka që kemi ndarë bashkë”, ka shkruar Gadaf Uzairi.